Vora dhe Vllaznia kanë ndarë pikët në javën e 32-të të Abissnet Superiore, në një sfidë që përfundoi pa gola të vlefshëm, por jo pa raste dhe polemika.
Pjesa e parë ishte më e mirë për vendasit, të cilët gjetën rrugën e rrjetës me Luis Felipe. Megjithatë, festa zgjati pak, pasi sulmuesi rezultoi në pozicion jashtë loje dhe goli u anulua.
Në fraksionin e dytë reagoi Vllaznia, që u shfaq më kërkuese në sulm. Çelikoviç realizoi, por goli i tij nuk u pranua për prekje me dorë. Në një tjetër moment të rrezikshëm, shkodranët iu afruan avantazhit, por traversa u mohoi golin. Në minutat e fundit, të dyja skuadrat u treguan më të kujdesshme dhe nuk rrezikuan shumë për të kërkuar fitoren.
Me këtë barazim, Vllaznia ruan vendin e parë të paktën edhe për këtë javë, ndërsa Vora del përkohësisht nga zona e ftohtë dhe pret rezultatet e rivalëve.


