Friday, November 22, 2024

Kombëtarja e Shqipërisë U15 dy barazime, 0-0 dhe 2-2, me Kosovën U15. Shkëlqen shkodrani i Udinezes, 14 vjeçari Alessio Gjergji

Lexo

Formacioni i Shqipërisë U15: Eno Resuli (GK), Joart Mile, Rian Neza, Alessio Gjergji, Angelos Como, Brajan Muca, Haxhi Rrena (C), Gentjan Sharka, Mattia Xhemali, Jurgen Nako, Leonel Meco. Trajner: Armand Damo

Kombëtarja e Shqipërisë U-15 e drejtuar nga trajneri Armand Damo ka zhvilluar dy ndeshje miqësore me Kombëtaren e Kosovës, ballafaqime këto që janë në funksion të përgatitjeve dhe kolaudimit të formacionit të parë në prag të ndeshjeve zyrtare për kualifikueset Europiane. Miqësore këto që përfunduan në barazim, 0 me 0 e para dhe 2 me 2, e dyta.

Krahas kontigjentit të futbollistëve nga kampionati shqiptar dhe ekipet e tjera, për këto dy përballje trajneri Damo kishte thirrur edhe futbollistin shkodran Alessio Gjergji, i cili luan në kampionatin e moshave në Itali, me Udinezen.

Alessio në fakt ka lindur në Itali, aty ku prindërit e tij kanë emigruar prej vitesh, dhe pasionin që kishte i ati Valentin Gjergji, futbollist në ekipin e Vllaznisë së moshave nën drejtimin e atëhershëm të ish trajnerit Artan Bushati, e ka vazhduar edhe ai në Itali.

Dhe, hapat e parë janë shumë domethënës, pasi i inkuadruar në ekipin e Udinezes ka marrë menjëherë pëlqimin e specialistëve të futbollit italian, të cilët nuk kanë nguruar të vlerësojnë maksimalisht të dhënat e këtij djaloshi duke e cilësuar si të garantuar të ardhmen e tij.

I tillë është shfaqur Alessio Gjergji edhe në zborin stërvitor të kësaj grupmoshe të organizuar në këtë fund maji nga Federata Shqiptare e Futbollit, i cili u shoqërua edhe me dy ndeshjet miqësore ndaj kombëtares së Kosovës.

Në të dyja këto miqësore të luajtura në stadiumin “Kukës Arena” të Kukësit, Gjergji luajti si titullar në formacionin kuqezi duke spikatur në pozicionin e qëndërmbrojtësit. Të dhënat e tij, i gjatë 1 metër dhe 84 centimetër, me datëlindjen 2010, konsiderohen shumë të rëndësishme për perspektiven e Alessio Gjergjit.

Ka qënë kjo arsyeja, që pas miqësores së dytë të luajtur të enjten në Kukës, drejtori teknik i ekipeve kombëtare pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, italiani Fulvio Pea, është parë të komunikojë prej së afërmi me vetë futbollistin dhe familjarët e tij që ndoqën ndeshjen live në “Kukës Arena” duke shprehur interesin e tij dhe institucionit që përfaqëson rreth të ardhmes së 14 vjeçarit Alessio Gjergji.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img