Estoni-Shqipëri 1-1 (Shënues: Tammik17’/Fortesa Berisha 7’, Qëndresa Krasniqi 92’)
Formacioni i Shqipërisë: Viona Rexhepi (GK), Luçije Gjini, Arbiona Bajraktari, Sara Maliqi, Arbenita Curraj, Fortesa Berisha, Alma Hilaj, Gresa Berisha, Qendresa Krasniqi, Megi Doçi, Kristina Maksuti.Trajner: Armir Grima
Kombëtarja e vajzave triumfoi me rezultatin 1-2 ndaj Estonisë, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Zvicër 2025’. Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin ‘Le Coq Arena’ në Tallin pasditen e sotme, skuadra e drejtuar nga trajneri Armir Grima mori tre pikët e radhës, duke u renditur tashmë në vendin e parë në grupin C5. Golat për vajzat kuqezi u shënuan nga Fortesa Berisha dhe Qëndresa Krasniqi.
Trajneri Grima hodhi në fushë këtë 11-she titullare: Viona Rexhepi (GK), Luçije Gjini, Arbiona Bajraktari, Sara Maliqi, Arbenita Curraj, Fortesa Berisha, Alma Hilaj, Gresa Berisha, Qendresa Krasniqi, Megi Doçi, Kristina Maksuti.
Vajzat kuqezi zhvilluan një pjesë të parë shumë të mirë, duke krijuar raste avantazhi që në minutat e para të takimit. Goli për Shqipërinë vjen në minutën e 7-të, me Alma Hilën që pason topin te Fortesa Berisha, e cila vijon aksionin duke mundur tek për tek kundërshtaren dhe duke ia pasuar topin Kristina Maksutit, e cila godet portën por topi pengohet nga mbrojtja estoneze. Topi mbetet në zonë dhe Maksuti provon sërish, duke gjuajtur drejt portës, me topin që devijohet nga Fortesa Berisha, duke kaluar Kombëtaren kuqezi në avantazh.
Estonezet barazojnë rezultatin 10 minuta më vonë, pas një aksioni të kundërshtareve nga e djathta, me Tammik që çon topin në zonë, aty ku Himanen shfrytezon mundësinë dhe e dërgon sferën në rrjetë.
Goli nuk i demoralizon kuqezezat, të cilat kërkojnë me ngulm epërsinë sërish, me disa raste të krijuara, por pa fat. Në minutën e 36-të ka dyshime edhe një penallti të padhënë për skuadrën e Grimës, me Fortesa Berishën e cila pasi futet në zonë, pengohet nga estonezet dhe rrëzohet, teksa arbitrja vazhdon lojën.
Tre minuta më vonë, është Krasniqi ajo që provon portën, por portierja grushton dhe e çon në këndore. Në minutat shtesë ka një zëvendësim në radhët e skuadrës tonë, me Arbiona Bajraktarin, e cila lë fushën për shkak të një shqetësimi në gju dhe vendin e saj e zë Armera Tukaj. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-1.
Pjesa e dytë nis edhe më mirë nga vajzat kuqezi, që kërkojnë epërsinë dhe tre pikët në Estoni. Fillimisht është Kristina Maksuti ajo e cila gjuan drejt portës, por portierja kundërshtare i mohon golin duke e pritur. Edhe Megi Doçi ka mundësi të kalojë skuadrën në avantazh, por topi përfundon jashtë porte. Qëndresa Krasniqi ka gjithashtu disa raste mjaft të mira përpara portës estoneze, por pa fat. Por është pikërisht Krasniqi ajo e cila gjen golin e dytë për Shqipërinë në minutën e 92-të, pas asistit të Megi Doçit. Krasniqi ndërmerr aksionin e fundit, e vetme, duke shkuar në zonë dhe duke e çuar topin në shtyllën e dytë. Gol që i jep tre pikë Shqipërisë dhe vendin e parë në grupin C5. Ndeshja mbyllet me rezultatin 1-2 për Shqipërinë dhe pas kësaj fitoreje kuqezezat renditen në vendin e parë në grup, me 6 pikë të grumbulluara në tre ndeshje.
Kombetarja e vajzave do të luajë ndeshjen e fundit në grupin C5 ndaj Luksemburgut në stadiumin “Elbasan Arena” më 4 qershor në ora 18:00. Të gjithë tifozët janë të ftuar të mbështesin kuqezezat në këtë ndeshje, pasi tri pikët janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë, që ka si objektiv ngjitjen në Ligën B në Nations League dhe kalimin në play-off-in e kualifikueseve të Kampionatit Europian ‘Zvicër 2025’.