Pas dy trofeve të mëparshëm, titullin kampion me 21 vjeçarët dhe 19 vjeçarët, Bylisi bën të vetin edhe një trofe tjetër, atë të Kupës së Shqipërisë për kategorinë U-19 duke konfirmuar kështu punën mjaft të mirë që bëhet në këtë klub me moshat.
Sukesi i 19 vjeçarëve që i siguroi për herë të parë edhe pjesëmarrjen në “UEFA Youth League”, ka ardhur pasditen e së shtunës kur Bylisi mundi në finale Partizanin me rezultatin 3-1, ndeshje kjo e luajtur në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
Bylis U-19 e menaxhoi shumë mirë ndeshjen dhe e gjeti dy herë rrugën e rrjetës që në pjesën e parë me Alimerkajn, i cili ishte protagonisti kryesor i finales.
Në fraksionin e dytë ballshiotët shënuan edhe golin e tretë me Akibu në minutën e 65-të. Ndërsa Partizani realizoi vetëm një gol në të 84-ën me Denis Sulon.
Në fund ndeshja finale u mbyll 3-1 për Bylis U-19 duke e mbyllur sezonin me fitimin e dy trofeve të rëndësishëm për moshat U-19.
Në përfundim të ndeshjes u zhvillua ceremonia tradicionale me Drejtorin Teknik të FSHF-së, Fulvio Pea, që i dorëzoi medaljet dhe trofeun lojtarëve të skuadrës Bylis U-19.