Me dy seancat stërvitore të ditës së sotme, Vllaznia ka mbyllur pjesën e parë të përgatitjeve europiane. Që prej datës 10 qershor, kuqeblutë janë stërvitur në qytetin e Shkodrës, ku krahas konsumimit të dy seancave në ditë, patën mundësinë të zhvillojnë edhe një ndeshje miqësore përballë komshive malazezë, Buduçnostit të Podgoricës, takim ky i luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” dhe i fituar nga miqtë me rezultatin 1 me 3.
Gjithnjë në funksion të përgatitjeve për ndeshjet e Kupave të Europës, Vllaznia kishte në program të zhvillojë edhe një tjetër miqësore, e cila ishte planikuar të luhej pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi” përballë kampiones së Superligës malazeze, Deçiq i Tuzit. Një miqësore kjo që sipas informacioneve më të fundit nuk u u zhvillua për shkak të disa problemeve organizative të klubit tuzian.
Kështu, Vllaznia, i mbyll ditët përgatitore të Shkodrës me vetëm një miqësore, por që sipas drejtuesve, në programin e kuqebluve janë për t’u zhvilluar edhe disa miqësore të tjera në pjesën e dytë të fazës përgatitore, asaj që do të zhvillohet në Bosnjë-Hercegovinë.
Sa i përket këtyre përgatitjeve, Vllaznia do të instalohet në kampingun sportiv të qytetit të Medjugorjes, një qytet ku krahas klimës së freskët spikat edhe si qytet historik dhe turistik ku thuhet se më shumë se tridhjetë milion turistë kanë vizituar Medjugorjen deri tani.