Pasi mori një fitore të rëndësishme përballë Vikingur në transfertë,në Konference Lige, Egnatia do të zbresë mbrëmjen e sotme në fushë, për të luajtur një ndeshje prestigji. Kampionët e Shqipërisë do të përballen me gjigantin italian të Napolit.
Sfida që do të startojë në orën 20:00,do të zhvillohet në stadiumin “Stadio Teofilo Patini” në Castel di Sangro.
Një ndeshje që pritet të jetë mjaft interesante,me Egnatian që do të masë forcat me një prej ekipeve më të forta në Europë. Kujtojmë që kjo është ndeshja e dytë që Egnatia luan kundër një ekipi të madh. Në verën e vitit të shkuar,rrogozhinasit u përballen me Interin. Në atë ndeshje,Egnatia u mposht me rezultatin 4-2 edhe pse zhvilluan një lojë mjaft të mirë,duke marrë parasysh kundërshtarin.
Të hënën në mëngjes,Egnatia do të rikthehet në Shqipëri për të vijuar të martën stërvitjen në kompleksin sportiv në Lekaj për ndeshjen e kthimit me Vikingurin. Kohë shumë e limituar për trajnerin Tetova,pasi skuadra do të jenë më shumë në avion se në tokë këto ditë. Të mërkurën është programuar që rrogozhinasit të udhëtojnë për në Shkodër,ku do të kryejnë edhe përgatitjet e fundit për duelin e kthimit me Vikingurin,që luhet ditën e enjte.
Fatos LAMAJ