“Super Gol” është emisioni më i ri sportiv që starton sot më 18 gusht në RTSH Sport në orën 19.20, duke përcjellë për të gjithë sportdashësit të gjitha dimensionet e futbollit shqiptar. Ndeshja e parë Dinamo-Egnatia e Kategorisë Superiore që ngre sot siparin e edicionit të 86-të do të transmetohet ekskluzivisht në Radio Televizionin Shqiptar, ku dhe emisioni më i ri në drejtimin e Hygerta Sakos do të jetë një transmetim maratonë para dhe pas çdo ndeshje jo vetëm të Superiores, por edhe Final 4, Kategorinë e Parë, Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën e Shqipërisë.
Në një intervistë për RTSH 24, moderatorja sportive Hygerta Sako tha se emisioni do të përcjellë emocionet e ndeshjeve por edhe analizat e profesionistëve, trajnerëve dhe vetë lojtarëve në ekranin e shqiptarëve.
“”Super Gol” starton sot në 19.20 në RTSH Sport dhe do të jetë para dhe pas ç5do ndeshje që do të kemi në transmetim. Do të jemi në studio dhe jo vetëm me analistë, profesionistë, intervista me trajnerët dhe vetë lojtarët, pasi janë ata protagonistët që do jenë në mikrofonin e këtij emisionit. Do jetë një transmetim maratonë për shkak të numrit të ndeshjeve. Për mua është një emocion i madh sepse je në vijën e parë të zjarrit je aty ku ndodh gjithçka dhe kampionati shqiptar ka emocion, ka gola në minutë të fundit dhe gjithçka do të vij në ekranin e RTSH. Do jenë specialistët më të mirë të fushës që do më shoqërojnë për të sjellë cilësinë më të lartë të një programi”, tha ajo.
Sako sqaron edhe se në cilat kanale të RTSH mund të ndiqen ndeshjet e futbollit shqiptar, ndërsa e cilëson marrjen e të drejtës ekskluzive nga RTSH për transmetimin e 3 sezoneve të tyre si “kthimi i futbollit shqiptar në shtëpi”.
“RTSH sport do transmetojë ndeshjet kryesore dhe ndeshjet e tjera do të jepen në RTSH2. Kur do të ketë shumë ndeshje në të njëjtin orar do të transmetohen edhe në kanalet e tjera të RTSH. Radio Televizioni Shqiptar ka të gjitha kapacitete, mundësitë, burimet njerëzore dhe shtrirjen më të madhe se çdo kanal tjetër dhe ka një transmetim pa pagesë të tre sezoneve të futbollit shqiptar. Të gjitha emocionet në të gjitha dimensionet e tij do të jenë në ekranin e RTSH, aty ku duhet të jetë”, u shpreh Sako.
Lidhur me parashikimin e ndeshjeve, Hygerta Sako tha se është tepër e vështira pasi skuadrat luftojnë fort për të marr trofetë.
“Të gjithë hyjnë për të marrë trofe dhe kemi skuadra me objektiva të qarta që do luftojnë fort. Ka dhe skuadra të tjera që hyjnë si modeste por rezervojnë shumë surpriza. Janë 36 javë dhe ajo që më pëlqen është se deri në javën e fundit është luajtur fort dhe ka shumë emocion dhe parashikimet jo gjithmonë dalin të sakta”, tha ajo.