Trajneri matjan Ditmar Bicaj, rikthehet në Vlorë në krye të ekipit të Burrelit, në ndeshjen e parë të këtij kampionati, me ambicjen për të marrë tre pikë nga kjo transfertë e vështirë.
Duke vlerësuar Flamurtarin për merkaton shumë cilësore dhe me lojtarë të superiores, Bicaj është optimist tek skuadra e tij, që e bazon në kushtet shumë optimale që ekipi është trajtuar dhe vijon të trajtohen falë përkujdesjes së veçantë të Presidencës matjane me në krye kryebashkiakun Agron Malaj.
Teksa e deklaron të mbyllur merkaton, me këtë ekip të riformatuar afro 60%, Bicaj i gëzohet faktit, se ekipi i tij gjatë seancave stërvitore dhe ndeshjeve miqësore të zhvilluara, ka bërë një paraqitje të kënaqshme dhe çdo pozicion në fushë është i dubluar, ç’ka do të thotë se konkurenca do të jetë e fortë gjatë gjithë kampionatit, dhe do të luajë vetëm ai lojtar që e meriton. Kam besim se këtë kampionat, do të shihni një Burrel tjetër, teksa parësore e filozifisë së tij, ka qenë dhe mbetet injektimi i mentalitetit të fituesit, respektit për fanelën, veten, ekipin dhe tifozërinë e zjarrtë matjane. Nisur nga fakti se ndeshja e parë është në transfertë në Vlorë, Bicaj ndeshjet miqësore i ka orjentuar dhe zhvilluar në transfertë dhe me ekipet e superiors, për vetë shkallën e vështirësisë së ndeshjes së Vlorës, që ai surprizon me deklaratën e tij teksa thotë se; “Duke respektuar Flamurtarin, do të synoj tre pikë nga ndeshja e Vlorës”.
Pyetje: Teksa ora e fillimit të kampionatit po troket, sa të plotësuar e shihni skuadrën që ju drejtoni, për ta përballuar kampionatin?
Përgjigje: – Unë e shikoj ekipin plotësisht gati, pasi çdo pozicion është i dubluar. Kemi rreth 22-23 futbollistë, që do të thoja se të gjithë janë të gatshëm për të qenë titullar. Organika është jashtëzakonisht e plotë. “Dhimbja koke për trajnerin”!… Megjithatë është një gjë shumë pozitive sepse do të zbresin në fushë vetëm 11 veta, dhe do të ketë edhe ndonjë qejf mbetje. Megjithatë kur ka konkurencë ekipit i bën mirë, që të ecim përpara. Do të luajnë ata futbollistë që e meritojnë dhe ata që kanë treguar formë më të mirë fizike gjatë kësaj periudhe përgatitore.
Pyetje: Deri tani keni punuar në tre drejtime; stërvitje, merkato, ndeshje miqësore. Si u janë përgjigjur grupi miks i lojtarëve, që keni në dispozicion?
Përgjigje: – Kemi punuar intensivisht në këto tre drejtime sepse, duke parë që ekipi u riformatua gati-gati 60 %. Kështu që normalisht merkato do bëhej e do kishte ndërhyrje në ato reparte që ne mendonim, dhe besoj që kemi ndërhyrë duke afruar lojtar cilësor dhe mbi të gjitha për të arritur tek ajo që është më kryesorja që unë kërkoj tek futbollistët; Tek mentaliteti fitues! Në qoftë se ne nuk kemi respekt për fanelën dhe veten tonë atëherë edhe kundërshtarët, do ta kenë më të lehtë. Kryesorja në futboll është, të arrish ta çosh futbollistin por dhe klubin, që çdo ndeshje të jetë për fitore!
Pyetje: Në 5 ndeshje miqësore që keni zhvilluar, 4 prej tyre janë në transfertë (Vllazninë 1-0, Teutën në Pukë 2-2, Korabin 1-0, Ilirinë 1-3) dhe vetëm një në Burrel (me Tiranën) 1-2, a mos vallë fakti se ju ndeshjen e parë e keni në transfertë siç është ajo në Vlorë, ka qenë arsyeja e këtyre ndeshjeve në transfertë?
Përgjigje: – Po ashtu është, pasi shumicën e ndeshjeve i kemi bërë në transfertë, duke parë që ndeshja e parë është në Vlorë, kemi dashtë të shikojmë ekipin sidomos në transfertë sesi do të përgjigjej. Jam i kënaqur, kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira me ekipe të superligës. Kemi arritur të shënojmë, përveç ndeshjes me Vllazninë. Me Teutën kemi shënuar dy gola, po ashtu me Tiranën kemi shënuar, por dhe kemi shpërdoruar dy-tre raste shumë të pastra. Jam jashtëzakonisht i kënaqur, kështu që presim fillimin e kampionatit, ku na pret një garë e gjatë dhe mbi të gjitha duhet të jemi shumë të ftohtë nga koka dhe këmbët zjarr.
Pyetje: Pavarësisht rezultateve të arritura, (ndonëse edhe ato kanë rëndësinë e tyre), sipas jush cili ka qenë niveli i Burrelit në këto ndeshje?
Përgjigje: – Niveli i paraqitjes në përgjithësi ka qenë i mirë do të thoja, djemt kanë vrapuar dhe punuar me intensitet dhe angazhim maksimual. Taktikisht ka pasë përmirësime. Jam shumë i kënaqur me ndeshjet miqësore. Mund të kishim bërë më mirë, megjithatë mos të harrojmë se jemi ekip i ri dhe duhet të jemi shumë të duruar.
Pyetje: Në ndeshjet e zhvilluara a keni konstatuar se ka nevojë për ndryshime në koncept dhe filozofi loje apo rritje përgjegjësie dhe përmirësime në skuadër, në funksion të rritjes së performancës dhe arritjes së objektivave?
Përgjigje: – Ndeshjet miqësore kanë qenë më ekipe të superligës, me përjashtim të Korabit dhe Ilirisë. Kështu që shkalla e vështirësisë ka qenë shumë e madhe. Ne s’kemi pasë synim rezultatin, por të shikojmë ekipin si është fizikisht, po ashtu të përmirësohemi nga ana tekniko-taktike. Kështu që nuk është se ka ndonjë tregues që mund të shikojmë, veyëm për ti përmirësuar ato në vazhdimësi. Filozofinë e lojës, ne po mundohemi ta injektojmë. Kemi një muaj që punojmë dhe kemi zhvilluar shumë ndeshje miqësore dhe normalisht formën më të mirë ekipi e merr nga java e tretë dhe e katërt. Kështu që unë jam shumë optimist, që këtë sezon do të jemi një Burrel tjetër nga ai i sezonit që kaloi.
Pyetje: A pritet të kemi lajme të reja nga merkatoja?
Përgjigje: – Merkaton e kemi mbyllur zyrtarisht. Ekipi është i plotësuar në çdo repart. Kështu që unë mendoj që nuk do të ketë më afrime, sepse 25 lojtarë, besoj janë mjaftueshëm për ta përballuar kampionatin.
Pyetje: Cila ka qenë mbështetja e deritanishme e hallkave të zingjirit drejtues adminiatrativ dhe teknik të skuadrës, dhe cilët do të jenë drejtuesit e skuadrës në fushë, (kapiten, zv/kapiten)?
Përgjigje: – Jam shumë i kënaqur, që mbështeja ka qenë maksimale. Kushtet janë shumë të mira, si të stërvitjes ashtu edhe të akomodimit, ushqimit dhe trajtimit të lojratëve. Mendoj që këto kushte, do ti shërbejnë ekipit në ecurinë e tij pozitive, në këtë kampionat. Kapiten dhe zëvëndës kapiten kemi graduar Dedgjonajn dhe Farrukun si dy lojtarët më të vjetër në ekip, duke parë që shumica e lojtarëve të tjerë janë afruar në këtë kohë.
Pyetje: Dhe pyetja e fundit për këtë intervistë, por jo e tillë për nga rëndësia…
Si e parashikoni transfertën në Vlorë, aty ku vjet ishit pritës si zv/trajner i Flamurtarit, dhe Burreli fitoi 0-1, dhe sivjet shkoni si trajner i Burrelit, a mund të presim ndonjë surprizë nga kjo përballje?
Përgjigje: – Flamurtari ka bërë një merkato jashtëzakonisht shumë të mirë, me lojtarët më cilësorë të superligës. Nuk është nevoja që ti përmend, megjithatë unë rikthehem në Vlorë. Vjet isha zëvëndës trajner, këtë vit jam trajner i ekipit të Burrelit. I jam shumë mirënjohës kryetarit të bashkisë z. Agron Malaj për besimin e dhënë, në këtë aventurë të re. Do të jap më të mirën. Respekt Flamurtarit, por do të kërkoj që të dal me tre pikë nga transferta e Vlorës.
Martin Dedaj* Gazetar dhe komentator sportiv
Lezhë-mbrëmje më, 20.08,2024