Një fitore vërtet historike e ekipit të Burrelit në javën e parë të kampionatit të kategorisë së parë në futboll, e arritur në Vlorë përballë Flamurtarit, jo vetëm të emrit të madh por edhe të investimeve të mëdha dhe lojtarëve potencial që ka në përbërje.
Burreli fiton 1-2, me dy gola të shënuar nga dy futbollistë bio matjanë; “gjahtarin e golave” të prodhimit të Dinastisë Farruku, 23-vjeçarin Florenc Farruku, i cili sot luajti edhe me shiritin e kapitenit, (Ai u ka shënuar vlonjatëve edhe sezonin e kaluar në atë fitore historike të Burrelit në Vlorë 0-1), dhe i riu me perspektivë 18- vjeçari Robin Hoti.
Ndërkohë që duhet thënë se Burrelit në minutat shtesë të pjesës së parë, për mendimin tim, ju mohua një 11-m, për të cilin ekipi “mori hak” me atë gol “vrastar” të Hotit në fillimt të pjesës së dytë, duke e goditur Flamurtarin pikërisht kur nuk e priste, dhe që e mbrojti me fanatizëm rezultatin deri në fund, të cilin edhe mund ta trefishonte, me rastet që krijoi në pjesën e dytë dhe që e dominoj, falë një loje shumë të fortë e të harmonizuar ndërmjet reparteve, të projektuar dhe realizuar me sukses nga trajneri matjan Ditmar Bicaj, në seancat stërvitore dhe ndeshjet miqësore të zhvilluara, që shënon kështu fillimin e mbarë dhe të suksesshëm, të sfidës së tij të parë si trajner, teksa e realizon pikërisht përballë Flamurtarit, që në sezonin e kaluar ka qenë pjesë e stafit të tij si zëvëndës trajner. Por futbolli kështu e ka prandaj është i bukur.
E ritheksoj se fitoria ishte e paralajmëruar sepse, në një intervistë, që kam publikuar ditë më parë Bicaj pati deklaruar;
“Duke respektuar Flamurtarin që ka bërë një merkato të fuqishme me lojtar elitar dhe të superiores shqiptare, që ska nevojë tua përmend emrat, ne shkojmë në Vlorë për të marrë tre pikë, dhe do të luajmë me mendje të freskët dhe këmbët zjarr”. Dhe kështu ndodhi.
Ndërsa paraditen e ditës së sotme në një koment në fb të mikut tim të kahershëm, dhe kolegut gazetar ndër vite, z. Hasan Pasha, që uronte fillimin e kampionatit për ekipin e Burrelit shkrova;
“Duhet pranuar vështirësia e kësaj transferte, pasi luhet përballë Flamurtarit me pretendime për t’ju rikthyer superligës, që i mungon prej vitesh, Burreli nuk do të shkojë në Vlorë, si vizitor por me synime për të marrë rezultat pozitiv, që për mua edhe barazimi është i tillë, ndërsa fitorja është luks. Të mos harrojmë se sezonin e kaluar Burreli ka fituar në Vlorë me rezultatin 0-1, me atë gol të shënuar nga sulmuesi Farruku. Le të shpresojmë, asgjë nuk është e pamundur.
Suksese Burreli, suksese Ditmar Bicaj”.
Fitoren e Burrelit e pati paralajmëruar edhe ai i “padukshmi”, Presidenti i ekipit të Burrelit z. Agron Malaj, i cili me interesimin dhe përkushtim e drejtpërdrejtë ka bërë të mundur krijimin e kushteve optimale për gjithë ekipin e futbollit, stafin teknik, punonjësit e shërbimit, trajtimin ushqimor, akomodimin, transportin etj.
Por fitoren e kishin paralajmëruar edhe grupi i zjarrit i tifozërisë matjane me në krye Mond Këngëtarin, të cilët kanë udhëtuar me autobus, furgonë e makina të tjera private, drejt Vlorës në mbështetje të ekipit të tyre të zemrës Burreli. Tifozëria matjane në këtë ndeshje, ka qenë e madhe në numër.
… Këto ishin disa nga faktet paralajmëruese të fitores së Burrelit në Vlorë, ku dhe mund të jemi paragjykuar. Po çfarë faji kemi ne, që dimë çfarë themi dhe shkruajmë, për ekipin e Burrelit.
Në mbyllje të këtyre radhëve, një vlerësim dhe respekt për kolegun tim të Vlorës, radiokronistin Ilia Mustaqi, për korrektësinë e transmetimit, në valët e Radio-Tiranës, në emisionin; “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, larg emocioneve dhe tifozllëkut për skuadrën vendase Flamurtari, si dhe RTSH, për rikthimin e futbollit shqiptar në transmetimin e tij, dhe sot të ndeshjes Flumurtari-Burreli (që unë e pashë përmes këtyre valëve) dhe ndeshjes tjetër; Vora-Apolonia 1-0.
Shënim: Në foto janë:
Dy golshënuesit matjan, Farruku e Hoti;
Monente nga ndeshja në Vlorë;
Ekipi i Burrelit i këtij sezoni;
Trajneri Ditmar Bicaj me Presidentin e ekipit yë Burrelit, z. Agron Malaj.
Post ndeshje, më 24.08.2024
* Komentator dhe gazetar sportiv.