Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH) do të transmetojë ndeshjet e kampionatit kombëtar për tri sezonet e ardhshme, falë një marrëveshjeje të arritur me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF).
Akordi i dakordësuar edhe me kompaninë Abissnet u bë e njohur të hënën në një konferencë të përbashkët mes Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, Alfred Peza, drejtuesit të FSHF-së, Armand Duka, dhe drejtuesit të Abissnet-it, Koço Kokëdhima.
“Ky sezon i ri radioteleviziv ka filluar me një lajm shumë të mirë për shqiptarët, për drejtuesit, gazetarët, punonjësit e RTSH-së, pasi futbolli u kthye në shtëpi dhe ne do e çojmë futbollin në çdo shtëpi shqiptare. Radiotelevizioni Publik Shqiptar ka një mbulim me sinjal të 100% të vendit, çka e bën futbollin, siç është në të vërtetë, loja më popullore dhe e dashur e shqiptarëve, të cilën kanë mundësinë ta shijojnë pa pagesë në ekranet e tyre. Ne do të transmetojmë 9 ndeshje në javë, rreth 500 euro transmetime vetëm futboll gjatë sezonit, pa llogaritur programet mes apo pas ndeshjeve bashkë me emisionet e tjera dedikuar futbollit shqiptar.
Nuk është vetëm pasqyrimi i ndeshjeve të Abissnet Superiores, Final Four, Superligës, Kategorisë së Parë apo Futbollit të Femrave ato që na gëzojnë në marrëveshjen e arritur me FSHF-në, por fakti që kemi një vullnet për ta shtrirë këtë bashkëpunim edhe në më shumë ekipe zinxhir, të moshave, fëmijët, pasi kemi si mision jo vetëm informimin e opinionit publik shqiptar, por edhe argëtimin e edukimin: edukimin fizik, shpirtëror, sportiv, të gjithë brezave. Janë rreth 23 mijë sportistë në të gjithë Shqipërinë dhe ne do të jemi pasqyra më e mirë ku çdokush të shikojë veten, pasardhësit, motrat dhe vëllezërit e tyre, në mënyrë që edhe ata të jenë pjesë aktive e edukimit. Sporti, futbolli, edukon të rinjtë edhe me shumë cilësi, siç është loja në ekip, sakrifica, shembulli pozitiv përmes modelit të atij që fiton.
Gjithashtu falënderojmë jo vetëm presidentin e FSHF-së, z. Armand Duka, për këtë marrëveshje, e cila është një nga lajmet më të mira, më të bukura, që ka dhënë RTSH kohët e fundit, por edhe z. Koço Kokëdhima. Besoj që ky bashkëpunim do të jetë i frytshëm dhe ne do të punojmë në maksimumin tonë që futbolli shqiptar të gjejë pasqyrim në të gjitha kanalet e radiotelevizionit publik shqiptar në mënyrë profesionale dhe në mënyrën më të mirë të mundshme për pritshmëritë e opinionit publik, që ata të rritin besimin te sporti shqiptar, të rikthehen gjithmonë e më shumë në stadiume dhe të kenë më shumë energji për të mbështetur ekipet tona, dhe për të krijuar një atmosferë gjithmonë e më pozitive e sportdashëse në Shqipëri,” u shpreh z. Peza.