Për Luan Zmijanin, ish-mbrojtësin kampion me Vllazninë, loja e skuadrës shkodrane nuk ka bindur në tri javët e para të kampionatit. Ai i bën apel stafit teknik që të ndërhyjë për të pasur vazhdimësi.
Zmijani pohon se mungesat kanë ndikimin e tyre dhe te Vllaznia kanë qenë jo pak, megjithatë shprehet se prapavija duhet të të jetë më e kujdesshme. Gjatë 3 javëve të para Vllaznia ka provuar të tria rezultatet, duke e nisur me fitoren kundër Partizanit në transfertë, më pas barazoi me Tiranën dhe u mund në Korçë nga Skënderbeu.
Luan, si ju është dukur Vllaznia e këtij fillim të sezonit?
Mendoj që skuadra ka nevojë për pak kohë për të dalë te loja e vet. Sipas meje, ndikojnë edhe mungesat që ka pasur këto javë, si ajo e Grudës dhe Kahrimanoviçit. Kur të jenë edhe këta lojtarë mendoj se do të shikojmë një Vllazni me ndryshe, më cinike dhe më sulmuese.
Çfarë mendoni se nuk shkoi siç duhet tek ekipi kuqeblu në këto tri ndeshje të para?
Për mua, duhet me patjetër një lojtar fantazist, siç është Kahrimanoviç. Po ashtu, edhe reparti i mbrojtjes duhet të jetë shumë më i kujdesshëm. Dihet që në futboll me një mbrojtje të konsoliduar dhe pa gabime arrihen sukseset. Edhe Vllaznia këtë duhet të bëjë.
Çfarë duhet të rregullojë trajneri, që ekipi të kthehet te fitorja në takimet e ardhshme. Së pari, a e pret një sfidë e vështirë me Egnatian?
Ai e di më mirë se kushdo tjetër se çfarë duhet rregulluar te loja e skuadrës, por e dimë shumë mirë se kundërshtari është tepër i fortë.
Sa mund të ndikojë kjo ndërprerje për të korrigjuar ato defekte që janë vënë re në këto takime?
Mendoj se ndërprerja e kampionatit e ndihmon shumë Vllazninë, duke pasur parasysh ato mungesa që thashë më parë.
Për aq sa keni parë në këto javë të para, a e mendoni Vllazninë favorite për titullin, apo për Kupën e Shqipërisë?
Mendoj që skuadra është e ndërtuar për të arritur suksesin këtë sezon. Koha do ta tregojë më mirë. Uroj që kjo skuadër të bëjë realitet atë që i mungon prej shumë vitesh qytetit tonë, të fitojë titullin kampion.
Admir URUÇI