Një shkodran si Erjon Vucaj ishte protagonist i fitores që Luftëtari regjistroi ndaj Tomorrit, ndeshje kjo e vlefshme për grupin e B të Kampionatit Kombëtar të futbollit për kategorinë e dytë.
Vucaj ishte autor i të vemit gol të ndeshjes, ndërkohë që edhe bashkëqytetarët e tij, Ramadani dhe Dulaj, ishin titulla në formacionin gjirokastrit duke kontribuar në fitoren e skuadrës së tyre.
Luftëtari dhe Tomori, skuadra të cilat kishin që prej vitit 2015 që nuk përballeshin mes tyre, pasi kanë qenë në kategori të ndryshme në dekadën e fundit, kërkojnë rikthimin në Kategorinë e Parë dhe sfida e djeshme ishte shumë e luftuar.
Fitoi Luftëtari minimalisht, por rezultati duhej të ishte më i thellë. Skuadra bluzi shpërdoroi shumë raste shënimi, ku më të shumtët ishin në pjesën e parë. Sulmuesi Ziaji iu afrua tre herë golit, ndërsa në minutën e 33-të goditi edhe shtyllën.
Beratasit u mjaftuan me një rast për gol. Bluzinjtë kanë luksin të kenë një stol të fortë dhe në pjesën e dytë, me ndryshimet nga trajneri Besmir Shabani, pati më tepër sulme në portën beratase.
Falë lojës organizative në mesfushë, si dhe kualiteteve si Ramadani, Diamanti, Vucaj dhe Mërkuri, gjirokastritët dominuan Tomorin. Vucaj kthehu në gol një top të mbetur në zonë pas një goditjeje dënimi, ndërsa më pas pati disa raste për të dyfishuar rezultatin. Miqtë nga Berati reaguan mirë afër fundit, por portieri Barbosa i Luftëtarit e përplasi topin në shtyllën pingule. Te Tomori pati shenja lodhjeje, ndërsa lojtarët bluzin si Diamanti, Mirani dhe Mërkuri nuk arritën të përfitonin, duke e tepruar në disa raste me veprimet individuale.
Gëzim BEQIRI