Thursday, November 21, 2024

Presidenti Duka: Organizimi i Kampionatit Europian U-21 është vetëm një event sportiv, Shqipëria përfiton shumë

Lexo

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar nëpërmjet një lidhje live mbrëmjen e djeshme në emision sportiv “AS” në Radio Televizionin Kombëtar të Kosovës me dy  gazetarët, Alba Merovci dhe Arlind Grantolli.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar komentoi kandidimin për organizimin e UEFA EURO U21 2027 së bashku me Federatën Serbe të Futbollit, duke nënvizuar se është vetëm një event sportiv dhe nga ky organizim Shqipëria përfiton shumë.

Mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA në Tiranë në shtatorin e vitit 2025 ishte një çështje tjetër që Presidenti Duka foli në emisionin sportiv “AS”, duke e konsideruar një ngjarje shumë të rëndësishme që do ta vendosë Shqipërinë në hartën e Europës.

Gjithashtu, kreu i Federatës u ndal edhe te performanca e Kombëtares në Nations League dhe shtoi se dy ndeshjet e radhës në muajin tetor në transfertë janë kyçe për renditjen përfundimtare.

Organizimi i Kampionatit Europian U-21 2027 – Ashtu siç dihet, ne kemi aplikuar për të organizuar Kampionatin Europian U-21 2027 në Shqipëri. Kemi aplikuar si Federatë e vetme dhe pastaj duke parë dhe aplikuesit kemi bashkuar kandidaturën bashkë me Federatën Serbe të futbollit për të organizuar Kampionatin Europian. Arsyet unë i kam sqaruar edhe më parë se pse kemi bashkëpunuar me një Federatë tjetër, për shkak të mungesës së infrastrukturës për të mbuluar të gjithë Europianin. Serbia ishte shteti më i mundshëm që mund t’i plotësonte këto kritere, pasi në garë ishin vetëm katër federata, ajo Shqiptare, Serbe, Turke dhe e Belgjikës.

Për ne është vërtetë një ngjarje e madhe sportive, organizimi i Kampionatit Europain U-21 që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Benefitet për Shqipërinë janë të shumta, përveç imazhit të vendit është promovimi i futbollit në Shqipëri. Gjithashtu nëpërmjet këtij organizimi Kombëtarja shqiptare U-21 merr pjesë në finalet e Europianit si vend organizator dhe futbollistët tanë kanë mundësinë të shprehin aftësitë e tyre në një kompeticion të rëndësishëm që nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Shqipërisë. Infrastruktura e vendit merr një zhvillim të madh, padyshim edhe nga Kampionati Europian U-17 që do të zhvillohet në vendin tonë në vitin 2025. Unë e shoh vetëm si një event sportiv.

A keni biseduar me Federata të tjera për të bërë të mundur organizimin e Europianit apo vetëm me Federatën Serbe të futbollit? –  Gara për aplikimin hapet për 55 Federatat dhe të gjithë ato që mendojnë se kanë kushte për të organizuar një kompeticion të tillë aplikojnë. Ne padyshim që kemi biseduar qoftë me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, por nuk i kanë pasur mundësitë për ta filluar këtë aplikim.

Mendimi që mund të bëheshin në vitin 2027 nuk të bën fitues, pasi duhet të kesh diçka në momentin që t’i aplikon në një kompeticion të tillë. Të vetmit që kishin aplikuar ishin Belgjika, Turqia e Serbia dhe ne ose mund të vazhdonin garën të vetëm ose mund të bashkoheshim për të qenë më kompetitiv për ta mundësuar organizimin e Europianit.

Si i keni pritur reagimet për organizimin e Kampionatit Europian U-21 2027? –  Është normale që të ketë mendime të ndryshme duke pasur parasysh edhe historinë. Unë nuk mendoj dhe nuk jam nisur asnjëherë, jo vetëm unë, por as Federata dhe shteti shqiptar që organizimi i Kampionatit Europian do të amnistojë atë çfarë ka ndodhur. Projekti është sportiv dhe ne kemi benefitet sportive dhe po bashkëpunojmë me Federatën Serbe të futbollit, jo me politikën dhe as me policinë apo shtetin serb.

Padyshim që i ka ngarkesat emocionale në mes, padyshim që historia nuk mund të harrohet dhe as nuk mund të amnistohet nga ne, por gjithsesi mesazhi i solidaritetit dhe bashkëpunimit nëpërmjet futbollit mendoj që është i rëndësishëm. Ne duhet të shohim përpara që të jetojmë në paqe për vete dhe për fëmijët tanë, për të ardhmen tonë. Nuk dua të nënvlerësoj në asnjë moment komentet emocionale, që për dikë janë më objektive dhe për dikë janë për të fituar benefite mediatike. Mendoj që është në të mirë të futbollit shqiptar dhe pikërisht për këtë ne jemi këtu.

Si është pritur nga politika në Shqipëri ky bashkëpunim? – Deri tani ne jemi dy Federatat e vetme që kemi plotësuar kriteret dhe dokumentacionin për të vazhduar garën për organizimin e Kampionatit Europian U-21 2027. Nga momenti që ne kemi aplikuar dhe deri më sot është bërë një punë voluminoze, shumë e madhe dhe jo vetëm nga Federata, por edhe nga qeveria shqiptare, bashkitë e qyteteve ku ne kemi aplikuar për të organizuar kampionatin.

Gjithashtu, nga aeroporti i Tiranës, nga struktura e hotelerisë, sepse janë të gjithë këto bashkë që plotësojnë dosjen dhe do të shqyrtohet për të qenë e pranueshme për të organizuar apo jo. Unë do të doja t’i falënderoj shumë ato që kanë bashkëpunuar me ne, sepse puna me të vërtetë ka qenë shumë voluminoze nga të gjithë institucionet shqiptare, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, nga Ministria e Brendshme, nga Ministra e Transportit, nga bashkitë, aeroporti dhe të gjithë të tjerët. Kanë bërë të gjithë këtë volum pune sepse dëshirojnë që të kemi një kompeticion kaq shumë të rëndësishëm në Shqipëri.

Keni diskutuar me Presidentin e FFK, Agim Ademi, për këtë bashkëpunim? – Unë kam marrëdhënie shumë të mira me Agim Ademin, por marrëdhëniet e mia kryesore janë me futbollin e Kosovës dhe çdo gjë të mirë që mund të bëhet në futbollin e Kosovës. Përveç marrëdhënieve miqësore, Agim Ademin e mbështes në të gjitha lëvizjet për zhvillimin e futbollit në Kosovë. Diskutimi i parë jo vetëm në këtë rast, që padyshim është një çështje sensitive ka qenë me Federatën e Kosovës me Agim Ademin, gjithashtu edhe me Federatën e Maqedonisë së Veriut, pastaj kemi vazhduar më tej.

Më janë përgjigjur që nuk mund të jemi pjesë e projektit për arsye të kushteve, padyshim që ato pastaj nuk mund të vendosin për vendimet e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ne kemi mesazhe shumë të mira nëpërmjet futbollit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej saj. Ne kemi futbollistë nga Serbia që luajnë në Shqipëri dhe trajnerë që bëjnë futboll, jo politikë. Në marrëdhëniet e futbollit ne jemi korrektë më të gjithë ato që luajnë futboll dhe që duan të mirën dhe progresin e futbollit. Nuk është mirë ngjyrimi politik i futbollit, është mirë që të marrim mesazhet pozitive që janë edhe objektivat kryesore të futbollit. Futbolli është një lojë, argëtim dhe emocion, por mesazhi kryesor është fryma e skuadrës, solidariteti dhe bashkëpunimi.

Mbledhja e KE së UEFA-s në Tiranë – Është një ngjarje shumë e rëndësishme për ne. Ne e dimë që shtete shumë më të zhvilluara se ne si Gjermania, Franca, Italia, Spanja gjithmonë tentojnë dhe kanë organizuar evente të rëndësishme sepse promovojnë futbollin e vendit dhe vendin në përgjithësi. Të gjithë aktivitetet që bëhen në Shqipëri janë shumë të rëndësishme dhe unë e shoh vetëm si një ngjarje pozitive. Dua t’i falënderoj ato që kanë vendosur të vijnë në Shqipëri dhe të gjithë ato që kanë punuar për Shqipërinë që të jetë në hartën e Europës.

Performanca e Kombëtares shqiptare në Nations League? – Nations League është një kompeticion specifik, pasi fillon dhe mbaron shpejt, zgjat vetëm 3 muaj. Janë 6 ndeshje në një grup të balancuar. Mendoj që e kemi filluar mirë, fituam me Ukrainën dhe jo me të njëjtin rezultat në Shqipëri me Gjeorgjinë. Gjithsesi mbetet grup i balancuar.

Kompeticioni i Nations League është vërtetë shumë i rëndësishëm për ato që të ofron. Nëpërmjet Nations League mund të sigurosh një vend në play-off për Kupën e Botës, nëse renditemi në vendin e parë ngjitemi në Ligën A. Pra, është kompeticion i rëndësishëm, vendi i dytë luan play-off për t’u ngjitur më lart, ndërsa vendi i tretë luan play-out për grupin C dhe vendi i fundit mbetet jashtë. Ne duhet ta luftojmë deri në fund, i kemi të gjitha mundësitë për të fituar që të jemi të parët në grup. Jemi të përgjegjshëm për kundërshtarët që janë vërtetë për t’u respektuar. Kemi dy transferta tani në Çeki dhe Gjeorgji, mendoj që janë kryqëzim, pika kyçe për të ardhmen apo për përfundimin e Nations League.

Kualifikimi në Botëror është objektivi madhor, është i realizueshëm por shumë i vështirë. Duhet të presim dhe shortin e 13 dhjetorit. Uroj që të kemi një short të mirë, të kemi skuadrën në formën e duhur dhe të vazhdojmë objektivin dhe ëndrrën tonë.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img