Vehbi Sulejmani nuk është më mes nesh. Mbrëmjen e sotme, veterani i nderuar i sportit shkodran ka ndërruar jetë duke mos arritur t’i bëjë ballë një sëmundje e cila e mundonte gjatë periudhës së fundit.
Katër muaj më parë, portali Veriu Sport, realizoi një intervistë të zgjeruar me profesor Vehbinë, pikërisht në përvjetorin e 91-të të lindjes së tij duke rikthyer në vemendje karrieren e tij të pasur sportive, e cila fillon me sportin e futbollit duke kontribuar në ekipin e Vllaznisë përkrah kolegut dhe mikut të tij Frederik Çapaliku, ndërkohë që në vazhdim ishte sporti i volejbollit që mori vemendjen më të madhe në jetën e tij sportive.
Pasi ka luajtur me sukses në formacionin e Vllaznisë si volejbollist, vazhdimin e karrierës së tij sportive, Vehbi Sulejmani so ta kishte në rolin e trajnerit, ku krahas të tjerave, vitet më shumta i kishte në drejtim të ekipit të volejbollit femra, fillimisht kategorinë e të rejave dhe më pas atë të të rriturave, nga duart e të cilit dolën emra të njohur volejbollistesh shkodrane, që krahas Vllaznisë luajtën edhe me kombëtaren kuqezi.
Falë kontributimit dhe vlerave të tij në vite si sportist dhe trajner, por edhe si familjar dhe qytetar model, Vehbi Sulejmani do të nderohej me vlerësime të ndryshme, si “Trajner i Shekullit” nga Klubi Vllaznia, “Mirenjohja e Qytetit”, “Nderi i sportit shkodran” nga Bashkia Shkodër, “Mirenjohje” nga Federata Shqiptare e Volejbollit, etj.
Veriu Sport, si dhe në emrin tim personal, ku kam pasur fatin që një pjesë të mirë të periudhës së detyrës së trajnerit të Vllaznisë, ta pasqyroj në median sportive shkodrane dhe atë kombëtare, i përcjellim ngushëllimet më të sinqerta familjes për humbjen e njeriut të tyre të afërt, si dhe komunitetit të sportit shkodran për humbjen e kësaj figure të nderuar që ka kontribuar aq shumë si sportist dhe trajner i Vllaznisë.
Në nderim të kësaj figure, Sport Klub Vllaznia, në bashkëpunim me familjen Ademi, organizojnë paraditen e së martës homazhe në hollin e Prefekturës Qarkut Shkodër, nga ora 09:00-11:00, prej nga bëhet edhe përcjellja për në banesën e fundit.
Pushofsh në paqe, profesor Vehbia!
Për të rikthyer në vemendje karrieren sportive të kësaj figure shumë planëshe, Veriu Sport, ju fton të ndiqni një intervistë të zgjeruar me veteranin e nderuar të sportit shkodran, Vehbi Sulejmani, realizuar me rastin e 91 vjetorit të lindjes së tij.
Gaspër MARKU