Pas miqësores me Tiranën B, të cilen e fitoi në transfertë me rezultatin 1 me 2, KF Shiroka ka programuar një tjetër miqësore. Këtë radhë bëhet fjalë për një miqësore luksi, pasi përballë shirokasve që drejtohen nga trajneri Fatmir Axhani, do të jetë skuadra e Superliges malazeze, FK Arsenal Tivat.
Ndeshja në fjalë është programuar të luhet të premten e kësaj fundjave, datë 11 tetor 2024, në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës duke filluar nga ora 16:00.
Mesa shikohet, drejtuesit e KF Shiroka e kanë marrë seriozish përfshirjen në Kampionatin Kombëtar të kategorisë së tretë, në objektivin e të cilëve është që menjëherë nga debutimi të kualifikohej në kategorinë e dytë, ndërkohë që në vijim, synimet janë edhe për të vijuar më përpara drejt kategorive më të larta.
Për të arritur këto objektiva, drejtuesit kanë arritur të vënë në dispozicion të trajnerit Fatmir Axhani një grup të rinjsh të talentuar të futbollit shkodran, gërshëtuar edhe me një kontigjent futbollistësh të huaj që janë bërë pjesë e kësaj skuadre.