Ndryshe nga sa parashikohej për një fitore të Vllaznisë në transfertën laçjane, ndodhë e kundërta. Edhe pse kuqeblutë arritën të kalojnë të parët në avantazh, kurbinasit e vendit të fundit të tabelës së klasifikimit arritën të përmbysin duke e mbyllur ndeshjen në favorin e tyre me rezultatin 3-1.
Referuar ecurisë së takimit, Vllaznia ka shënuar e para fal një autogoli nga Dajsinani, që mund të quhet dhe i pafat. Shkodranët luajtën më mirë në pjesën e parë dhe u përpoqën të tregojnë dhëmbët që në fillim. Mirëpo, lojtari me eksperiencë në kampionatet europiane, Papa barazoi pak para përfundimit të pjesës së parë.
Në të dytën Laçi hyri më dinamik dhe arriti brenda 2 minutave 2 gola të befasishëm. Mbrojtja e shkodranëve u kap e papërgatitur dhe kështu Laçi përmbysi rezultatin.
Mjaki me portën thuajse të boshatisur pas pritjes së portierit të goditjes së parë drejt kuadratit, arriti të realizoj. Melo me një parabol të bukur, që u dyshua për pozicion jashtëloje në fillim vulosi rezultatin që mbeti i pandryshuar për pjesën e mbetur të takimit.
Me këtë fitore, Laçi largohet për momentin nga fundi i tabelës së klasifikimit me një frymëmarrje dhe moral psikologjik për t’u larguar nga zona e “ftohtë” e rënies nga kategoria. Ndërkohë, nga ana tjetër, pas një seri ndeshjesh pozitive, Vllaznia ndalet me kët humbje në Laç duke zbritur në vendin e katërt të renditjes.
Fatos LAMAJ