Për herë të parë në histori, Kombëtarja e vajzave është shumë pranë finaleve të një kampionati Europian për këtë kategori. Shqipëria do të luajë dy ndeshje ndaj Norvegjisë më 25 dhe 29 tetor, të vlefshme për fazën e parë të play-off-it të Europianit “Zvicër 2025”.
Vajzat kuqezi do të nisin grumbullimin për këto dy sfida të dielën e 18 tetorit. Trajneri Armir Grima ka ftuar 23 futbolliste për dy takimet ndaj Norvegjisë. Ka risi në listën kuqezi, me tre vajza që veshin për herë të parë fanellën e Kombëtares shqiptare: portierja e Mitrovicës, Rajmonda Spahiu; mesfushorja e Aaraut, Eriola Delija dhe sulmuesja e ekipit norvegjez Sarpborg 08, Florentina Kuqi.
Ndërkaq, tekniku kuqezi Grima ka rikthyer edhe gjashtë futbolliste të cilat janë aktivizuar më parë me Kombëtaren shqiptare si Endrina Elezaj, Aglia Iliadhi, Klea Hamonikaj, Djellza Istrefaj, Valentina Troka dhe Mikaela Metalla.
Grupi kuqezi do të nisë përgatitjet që të dielën dhe do t’i zhvillojë seancat stërvitore në Shkodër. Të premten e 25 tetorit, Shqipëria pret Norvegjinë në stadiumin “Loro Boriçi”, ku hyrja do të jetë falas për të gjithë tifozët shqiptarë, të cilët janë të ftuar të mbështesin ekipin e vajzave në këtë moment të rëndësishëm për to.
Sfida është programuar të luhet në ora 16:00. Më 29 tetor do të luhet ndeshja e kthimit në Norvegji, në stadiumin “Ullevaal” në ora 19:00.