Zv.Presidenti i FSHF, Arben Dervishaj, anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Gjergji Petro, Drejtori Administrativ, Aldi Topçiu, dhe përfaqësues nga Drejtoria e Projekteve zhvilluan një takim pune me kryetaren e Bashkisë Përmet, Alma Hoxha, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
Në fokus të këtij takimi ishte diskutimi mbi rinovimin e stadiumit “Durim Qypi”. Gjatë mbledhjes, kryetarja e Bashkisë, Alma Hoxha, paraqiti kërkesat e Bashkisë Përmet për rinovimin e stadiumit dhe theksoi rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e infrastrukturës sportive, duke vënë në dukje se përmirësimi i stadiumit do të rrisë cilësinë e jëtës sportive në qytet.
Përfaqësuesit e FSHF-së shprehën mbështetjen e tyre dhe në vazhdim do të hartohet një plan projekti që do të shqyrtohet nga të dyja palët. Gjithashtu, do të diskutohet mundësia e bashkëpunimit me parimin e bashkëfinancimit.
Ky investim përbën një hap të rëndësishëm për zhvillimin e infrastrukturës sportive në qytetin e Përmetit dhe do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve për sportin në këtë rajon.