Vllaznia–Laçi 1-0
(Ardit Hoxhaj 22′)
E mërkurë 14 prill 2021, ora 16.00, stadium “Loro Boriçi” i qytetit të Shkodrës
Vllaznia: Zogoviç, Gurishta, Adili, Shehi, Isaevski, Krymi, Jonuzi, Marku, Viktor Da Silva (63′ Kruja), Hoxhaj (74′ Kaleziç), Dilaver (88′ Cise). Trajner: Tomas Brdariç
Laçi: Sherri, Marku, Malota, Ignjatoviç, Obanor, Musta (63′ Van Dejv) , Lushkja (46′ Mazrekaj), Deliu, Bytyqi, Shehu, Xhixha. Trajner: Shpëtim Duro
Gjyqtar: Juxhin Xhaja(Tiranë), Ridigert Çokaj(Lezhë), Dojando Myftari(Tiranë)-I katërt Eldorian Hamiti(Lezhë)
KV: Krymi, Adili, Dilaver, Marku. Zogoviç, Kaleziç , Avdijaj / Lushkja, Malota, Musta, Bytyqi, Ignjatoviç
Ka mjaftuar një gol i shënuar nga Ardit Hoxhaj që Vllaznia të fitonte duelin gjysëmfinal me Laçin dhe njëkohësisht të shkonte në finalen e Kupës së Shqipërisë. Edhe pse ka shënuar gola të tjerë për skuadrën kuqeblu, për vlonjatin që luan me uniformën e Vllaznisë këtë sezon futbollistik, goli i sotëm është më i rëndësishmi. Gol, të cilin, në prononcimin e dhënë pas ndeshjes do t’ia detikonte tifozërisë së zjarrtë shkodrane që e ka mbështetur atë dhe skuadrën në terësi gjatë të gjithë sezonit në vazhdimësi.
Rrjeta e tundur nga Hoxhaj ka ardhur në minutën e 22-të, me një kros të Viktor Da Silvës dhënë nga këndi dhe i konkretizuar mjeshtërisht me kokë nga vlonjati. Pas dhjetë minutash, Vllaznia është shumë shumë pranë golit të dytë. Tashmë është radha që Ardit Hoxhaj t’i kthejë borxhin Da Silvës për krosin e golit. Vlonjati shpërthen fuqishëm nga e djathta, zhytet drejt zonës dhe më pas shërben në mënyrë pefekte me një top goli për brazilianin Da Silva, i cili me portën bosh dhë në një distancë vetëm 2-3 metra larg portës bën më të vështirën duke e nxjerrur topin jashtë. Të gjendur nën presionin e Vllaznisë, laçjanët bëjnë ndonjë tentativë për të kundërsulmuar, por shumë pak për një skuadër që kërkon të shkojë në finale.
Me avantazhin minimal të Vllaznisë 1 me 0 mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që e dyta me aktivizimin e Mentor Mazrrekajt në formacionin laçjan e rrit jo pak nivelin e lojës së miqve, të cilët regjistrojnë disa kërcënime në portën e malazezit të Vllaznisë, Zogoviç. Por, ndërkohë që Laçi kërkon golin e barazimit, është Vllaznia që mund të shënonte fare mirë golin e dytë. Është minuta e 68-të kur Ardit Hoxhaj është fare pranë portës, por shpërdoron në gjuajtje duke e nxjerrur topin jashtë. Të dy trajnerët, Brdariç dhe Duro bëjnë lëvizjet e tyre duke lëshuar në fushë forca të reja, por edhe pse mundësitë ishin për të shënuar në të dyja portat respektive, avantazhi i kuqebluve që në të 22-tën minutë të pjesës së parë mbetet në fuqi derisa ndërkombëtari Xhaja vërshëllen pas 6 minutash shtesë duke e mbyllur ndeshje me fitoren e Vllaznisë me rezultatin 1 me 0.
Në kampin shkodran shpërthen festa, por në mesin e fushës ka problem. Fatkeqësisht konstatohen skena të shëntuara për një ndeshje futbolli. Dhe, protagonist bëhet futbollisti me ngjyrë i Laçit Obanor që godet keqas me shkelm mesfushorin e Vllaznisë, Herald Markun që rrëzohet, për të cilin stafi më pas publikoi një foto në dhomat e zhveshjes nga goditja që kishte marrë në brinjë.
Rasti në fjalë që ndëshkohet me karton të kuq nga gjyqtari Xhaja shoqërohet me një përfshirje totale të futbollistëve të të dy kampeve respektive që pas ndërhyrjes të stafeve përkatëse, por edhe të shërbimit të sigurisë, situata normalizohet.
Në vijim, kuqeblutë festojnë disa minuta pranë vijës anësore të fushës me brohoritje entuziaste, ndërkohë që festa vazhdon edhe në dhomat e zhveshjes ku iu janë bashkuar edhe drejtuesit më të lartë të klubit, përfshirë edhe sponsorin Alban Xhaferi, i cili premtimin e dhënë përpara ndeshjes e ka bërë realitet duke akorduar premion prej 10 mijë Eurosh.
Gaspër MARKU