Derbi i Shqipërisë midis Tiranës e Vllaznisë mund të quhet edhe derbi i minikrizës,pasi në tri javët e fundit askush nuk ka marrë më pak pikë se ato. Bardheblutë nuk fitojnë prej tri ndeshjesh,shkodranët prej katër.
Tirana do të presë Vllazninë për javën e dhjetë të Abisnet Superiore në një ndeshje që ashtu si derbi me Dinamon do të zhvillohet në një fushë të pazakontë.
Pritës i takimit do të jetë stadiumi Roza Haxhiu i Lushnjës,pasi bardheblutë sërish dështojnë në gjetjen e një fushe tjetër,ndërkohë që stadiumi që mban emrin e themeluesit të klubit të tyre Selman Stërmasi,i ka mbyllur dyert. Dy kundërshtarët shkojnë në takimin e së mërkurës pas një serie jobindëse rezultatesh,me mjaft ulje e ngritje.
Tirana vjen pas dy barazime radhazi,nga tetë gjithsej,ndërkohë që nuk e njeh fitoren prej tri ndeshjesh. Bardheblutë janë kampionët e barazimeve,plot tetë të tillë,dhe vetëm një herë e kanë arritur fitoren.
Në këtë aspekt,migrimi nga një stadium në tjetrin për të luajtur ndeshjet brenda nuk i ndihmon. Vllaznia nga ana e saj e ka edhe më të gjatë serinë pa fitore,katër ndeshje,ndërkohë që në takimin e fundit fitorja i iku nga duart në kohën shtesë.
Në tri javët e fundit,askush nuk ka fituar më pak pikë se Tirana e Vllaznia,çka flet për një farë krize te të dyja. Trajneri Brdariç ka premtuar fitore,megjithatë Tirana edhe pse nuk di të fitojë,e ka minimale edhe shifrën e humbjeve,vetëm një të tillë. Sigurisht që një barazim tjetër nuk do të ishte i mirëpritur nga asnjëra sidomos nga Tirana,që një rezultat i tillë mund ta fusë në zonën e ftohtë,diçka e papranueshme,edhe kur sezonin e deklaron si të sakrifikuar për hir të së ardhmes.
Arbitrat
Ndeshjen në stadiumin “Roza Haxhiu” do e gjykoj një trupë e përzier arbitrash ku pa dyshim kryesori i kësaj sfide është caktuar Enea Jorgji nga Elbasani i cili do të ketë ndihmës të tij Denis Rexha nga Tirana dhe Ridiger Çokaj nga Lezha,arbitër i katërt është caktuar Adrian Beqiraj nga Tirana,ndërsa në sistemin Var do të monitoroj Juxhin Xhaja nga Tirana dhe ndihmës i tij në Avar është emëruar Daniel Vrapi po nga Tirana. Delegat i takimit është caktuar Besnik Çela nga Tirana ndërsa Vëzhgues do të jetë Prek Pjetrushi nga Lezha.
Arbitër kryesor:Enea Jorgji
Asistent 1:Denis Rexha
Asistent 2:Ridiger Çokaj
Arbitër i 4:Adrian Beqiraj
Var:Juxhin Xhaja
Avar:Daniel Vrapi
Delegat:Besnik Çela
Vëzhgues:Prek Pjetrushi