Wednesday, October 30, 2024

Veselinoviç: “Përgëzoj lojtarët për luftën që treguan, disiplinë taktike gjatë ndeshjes. Për titullin flasim kur të vishem me mëngë të shkurtra”

Lexo

Partizani ka marrë tre pikë të rëndësishme në transfertën në Korçë përballë Skënderbeut vendas. Trajneri i Partizanit, Aleksandar Veselinoviç, u shpreh pas ndeshjes:

“Çdo fitore është shumë e rëndësishme, luanim ndaj një ekipi me shumë traditë dhe që drejtohet shumë mirë nga kolegu Gvozdenoviç. Përgëzoj lojtarët për luftën që treguan, disiplinë taktike gjatë ndeshjes dhe ne si gjithmonë shkojmë ndeshje pas ndeshje e as që e mendojmë vendin e parë. Siç e shihni jam me mëngë të gjata. Kur të dalim përsëri me mëngë të shkurtra, atëherë mbase do të flasim për pjesën e kampionit.

Sot nisëm ndeshjen pa 6 titullarë fiks në formacion, Bytyçi dhe Rrapaj ishin me kartonë, Hadroj ka dëmtim dhe këto janë lojtarë shumë të rëndësishëm për ne. Me këtë ritëm ndeshjesh, normalisht ka ngarkesë dhe Zeka nuk është në formën më të mirë shëndetësore. Po ashtu Mehmeti kishte një problem shëndetësor dhe ka humbur pothuajse katër kilogram. Cara gjithashtu është ndjerë shumë i lodhur dhe kjo ka qenë arsyeja e ndërrimeve. Unë i dua lojtarët e rinj dhe kudo që kam punuar i kam shtyrë përpara., detyra ime është t’i jap mbështetje nga mbrapa. Janë djem fantastikë, jam shumë i lumtur për ata dhe ma kthejnë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Jemi detyruar të bëjmë dy ndërrime me Buxhelajn e Janjevën. Pastaj duhet të kemi parasysh që në anën e Janjevës luan një lojtar i shkëlqyer si Rashica, ai ishte një problem që e zgjidhëm me grupo. Në pjesën qendrore të fushës kishim Taipin i cili ka pak kohë që nuk e nis nga starti. Dhe po ashtu kishim një lojtar të ri si Kote dhe ndjehem shumë i lumtur për atë, se disa njerëz kanë dashur ta nisin në huazim kur erdha këtu, kam qenë kundër që në ditën e parë se gëzon mbështetjen time dhe ka perspektivë të mirë. Pastaj në linjën e tretë ka luajtur Keko, i cili po ashtu nuk kishte minuta dhe këto janë disa nga arsyet pse nuk kemi qenë aq dinamikë sot.

Nëse merren parasysh të gjitha si pjesa e udhëtimit pas Shkodrës dhe koha e shkurtër për të përgatitur ndeshja, duhet të kuptoni se sa e vështirë ishte të përgatitet ndeshja. Në punën tonë vjen me raste ndonjë periudhë kur nuk kemi kohë as për të fjetur dhe duhet të vjedhësh këto orë gjumi”, tha Veselinoviç për RTSH pas ndeshjes.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img