Kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci ka zgjedhur ditën e përvjetorit të 85-të të mjeshtrit të shquar të basketbollit shkodran dhe atij shqiptar, Renato Radoja, për të organizuar një pritje zyrtare në nderim të kësaj figure të spikatur të sportit shqiptar.
Së bashku me Radojën në këtë pritje në zyrën e kryetarit të Bashkisë Shkodër, ishin edhe pjesëtar të familjes Radoja si dhe kolegë të fushës së lojës, nga Shkodra dhe Tirana.
“Një legjendë e gjallë e basketbollit shkodran dhe atij shqiptar. Sot pata kënaqësinë ta uroja personalisht Renato Radojën për 85-vjetorin e lindjes. Të gjithë e njohin dhe e vlerësojnë kontributin e çmuar të tij në basketbollin shqiptar. Edhe 100 vite mjeshtër!”, shkruan kreu i Bashkisë Shkodër, Benet Beci në faqen e tij zyrtare.