Prononcimi i trajnerit të Dinamos, Ilir Daja, pas ndeshjes, Elbasani-Dinamo, 0-5
“Më e bukura e kësaj loje, përveç rezultatit dhe lojës që i shkon merita djemve, ishte kjo duartrokitje nga tifozët e Elbasanit që i kam për zemër se kam përjetuar këtu suksesin tim të parë në Superiore. Por ajo ishte jo vetëm për Ilir Dajën, por edhe për Dinamon e lojën që bëri, është e bukur kur merr duartrokitje si erdhi nga Elbasani e tifozët e tij.
E rëndësishme është që lojtarët treguan se çfarë vlerash individuale kanë dhe më vjen mirë. Nuk është se na mungon kualiteti brenda ekipit, ne donim vetëm një ndeshje ku lojtarët të ktheheshin te fitoja. E kemi thënë që të jemi pragmatistë që të grumbullojmë pikët që të na japë qetësi e ndërtojmë atë që duam të ndërtojmë. E gjithë fitorja i shkon lojtarëve të mi, që janë treguar grup në të dy fazat e lojës.
Standart do të quhet në momentin që bëjmë në vazhdimësi këtë lojë. Do e kërkoj me ngulm të bëjë një gjë të tillë. Por kjo tregoi që ne kemi potencialin individual që të bëjmë pjesën tjetër, që të shkrihemi me njëri-tjetrin e bëhemi grup në të dy fazat e lojës. Lojtarët duhet të kuptojnë që nëse nuk vlerëson veten, nuk kanë si të vlerësojnë të tjerët. Në këtë ndeshje kanë vlerësuar maksimalisht veten e tyre dhe e kanë bërë çdo gjë të thjeshtë.
Dinamo sot ishte në maksimumin e vet për një ndeshje, kemi marrë tre pikë me shumë vlerë, përballë një kundërshtari që është edhe ai pretendent për pjesën e sipërme të tabelës. Se me një ndeshje nuk mund t’i heqësh meritat çfarë ka bërë deri tani, dhe duke parë pozicionin që ka dhe pa harruar se është viti i parë në Superiore. Lojtarët e mi sot ishin në maksimum për të marrë tre pikët dhe komanduar lojën në të dy fazat.
Unë jam nga trajnerët që jam me këmbë në tokë, sepse nuk do të thosha që me një ndeshje fitohet kampionati. Ne do të bëjmë punën tonë javë pas jave që të përmirësohemi në çdo seancë, jo më në çdo javë. Ndaj më mirë po fokusohemi në ndeshjen e javës, sot do gëzojmë për lojën e fitoren por duke filluar që nga nesër do mendojmë se në fundjavë kemi një derbi me Partizanin që po kalon një formë shumë të mirë”, u shpreh Daja.