Saturday, November 23, 2024

Ismaili: “Me Ukrainën, ndeshja më e rëndësishme e grupit”. Kapiteni kuqezi, beson për fitore dhe kapjen e vendit të pare në grup

Lexo

N jë ditë para ndeshjes, Shqipëri-Ukrainë, e fundit në grup për Ligën e Kombeve, kapiteni i kuqezinjëve, Ardian Ismajli ishte në konferencë shtypi përkraha trajnerit Silvinjo. Ndër të tjera, ai foli për rëndësinë e ndeshjes ndaj Ukrainës dhe theksoi se skuadra nesër do të bëjë maksimumin për të marrë fitoren. Qendërmbrojtësi kuqezi theksoi se beson te sulmi dhe shtoi se tifozët janë një armë plus për Kombëtaren.

Sa mundësi kemi ta finalizojmë me sukses këtë kompeticion? – E dimë që tani është më vështirë, nuk varet vetëm nga ne por edhe nga rezultati i Çekisë me Gjeorgjinë. Ne do  futemi në fushë vetëm për fitore, rrugë tjetër nuk ka. Shpresoj të kemi fat dhe ta mbyllim në vendin e parë.

E ardhmja te Interi apo Juventusi? – Jemi te Kombëtarja. Nuk kisha dëshirë të flisja për merkaton, kemi ndeshje të rëndësishme nesër. Pas Kombëtares do e shikoni se çfarë do të bëhet në janar.

Dovbyk? – Kundërshtar të lehtë nuk ka, sidomos në Seria A të gjithë sulmuesit janë fizikë, të fortë, të shpejtë. E dimë kualitetin e Dovbyk, por nuk është se kemi frikë. Në ndeshjet e fundit kemi bërë mirë, jashtëzakonisht mirë në mbrojtje. Do analizojmë të gjithë skuadrën e Ukrainës dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën.

Mbështetja e tifozëve? – Fortesa e “Air Albania” është ajo ku kemi pësuar vetëm një gol e një humbje në dy vitet e fundit, ajo ndaj Gjeorgjisë. Avantazhi i tifozëve është jashtëzakonisht i madh. E patë edhe vetë të shtunën se çfarë përkrahje kemi pasur. Jam i sigurt që do të kemi nesër edhe mbështetje më të madhe dhe shpresoj që t’i kënaqim me një fitore.

Mbrojtja? – Mbrojtja ka punë gjithmonë dhe kemi të bëjmë me sulmues shumë të fortë si në ajër e tokë. Me Çekinë në ndeshjen e parë nuk është se e njihnim mirë sulmuesin e tyre. Në ndeshjen e dytë e patë që morëm masa dhe shikuam video e analizuam, ia dolëm. Shpresojmë që nesër t’ia dalim edhe me fitore.

E kemi mundur Ukrainën me përmbysje dhe i keni shënuar, shpreson te një tjetër skenar i ngjashëm? – Detyra ime është të mbroj, po doli diçka përpara, pse jo. Shpresoj se sulmuesit do të shënojnë, pse jo dhe unë. Rëndësi ka ekipi, rëndësi ka fitorja, se kush shënon nuk është problem.

Cilat janë karakteristikat e ekipit tuaj që mund t’ju bëjnë më fortë? – Publiku jonë i zjarrtë është arma plus. Çdo kundërshtar ka presionin e publikut. Ne duhet të fitojmë të bëjmë punën tonë dhe më pas të presim rezultatin e ndeshjes tjetër. Mund të arrijmë edhe “play-off”-in.

Çfarë duhet të bëjmë me Ukrainën? – Duhet të bëjmë gola, kështu është futbolli. Kemi mbrojtur mirë, por kemi pasur ngërç në sulm. Çunat nesër do të bëjnë maksimumin dhe do të shënojnë. Është ndeshja më e rëndësishme e grupit. Jam i bindur që nesër do të shënojnë sulmuesit dhe do të bëjnë më të mirën për tifozët dhe ishalla kapim vendin e parë.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img