Nëse do të rendisnim “killerat” e derbeve te Partizani, Eraldo Çinari do të ishte i pari. Në verë ish-sulmuesi i “demave” u bë pjesë e Noah në Armeni, ku e ka nisur shumë mirë me 6 gola dhe 3 asiste.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Çinari tregon për aventurën në klubin e ri, teksa flet edhe për derbin, ku sheh të kuqtë si favoritë dhe bën edhe një parashikim. Sipas tij, derbi del 1-2 dhe e vendos Cara ose Rrapaj.
Kudo ku keni qenë, keni merituar nofkën “bomber”. Edhe në Armeni po ju shkon mirë. Si ndiheni në këtë fillim të ri?
(Qesh) Të falënderoj për këto fjalë. Të them të drejtën kam ardhur këtu në Armeni me një entuziazëm shumë të madh dhe jam shumë i lumtur që kam ardhur në këtë klub, sepse ka ambicie shumë të mëdha. Besoj se deri më tani gjërat kanë shkuar shumë mirë, jam shumë i lumtur për këtë fakt. Shpresoj të bëj akoma më mirë dhe të harrojmë objektivin që kemi, të shpallemi kampionë të Armenisë.
Luani në grupet e Ligës së Konferencës, sa ju ndihmon kjo aventurë dhe si ishte të luanit në “Stamford Bridge”?
Normalisht, të luash në kompeticionet europiane është një ndjesi e madhe dhe unike. Shpresoj të mos ndalemi në këtë rrugëtim tonin. Kemi ambicie shumë të mëdha si klub, që të kalojmë të paktën edhe këtë fazë për të shkuar në 24-she, sepse i kemi të gjitha mundësitë.
Në aspektin personal të luajtur në këto kompeticione më ndihmon shumë për të ardhmen, por shpresoj që të gjithë së bashku të bëjmë mirë, të vazhdojmë siç jemi dhe besoj se do t’ia arrijmë qëllimit tonë. Sa i përket ndeshjes kundër Çelsit në “Stamford Bridge” për mua ka qenë një ëndërr e realizuar të luaja në një stadium të tillë dhe një ndjesi që nuk di ta përshkruaj me fjalë.
Po tregoni nivel mjaft të lartë. Mund të ketë një hap akoma më të madh në verën e ardhshme?
Unë për momentin jam shumë i lumtur këtu te Noah dhe po përpiqem të bëj maksimumin. Çdo gjë po shkon ashtu siç duhet dhe nëse do të jetë një mundësi për më mirë, edhe mund të bëjmë një lëvizje. Por do të shohim deri atëherë. Shpresoj të vazhdoj kështu dhe më pas gjërat e tjera do të vijnë, pa problem.
Keni bërë mirë kudo, përveç Turqisë. Çfarë mungoi atje?
Është e vërtetë, në Turqi asgjë nuk shkoi siç duhet. Shumë vetë e dinë, por shumë të tjerë mund edhe të mos e dinë, por ajo për mua ka qenë periudha më e errët e jetës. Një herë në javë apo në dy javë më është dashur të udhëtoj drejt Tiranës, sepse babai im i ndjerë, ka kaluar një periudhë të gjatë nëpër spitale. Që në momentin që unë nisa aventurën në Turqi, shumë gjëra nuk shkuan si duhet. Por tashmë ajo është e kaluar dhe shpresoj të mos përjetoj periudha të tilla më, si në aspektin e jetës private, ashtu edhe asaj profesionale.
Me aq sa e keni ndjekur, kush ju duken pretendentët kryesorë në Superiore?
E ndjek Superioren sa herë kam mundësi. Besoj se ekipet për titull janë Partizani, Vllaznia, Egnatia, mund të përfshij edhe Dinamon, që më pëlqen. Më duket ekip mjaft serioz deri më tani.
Keni vulosur disa derbe kundër Tiranës. Kush është goli juaj më i veçantë?
Është e vërtetë, në derbi kam pasur shumë fat dhe kam shënuar gola. Por moment i paharrueshëm kanë qenë dy golat e mi kundër Tiranës, që na dhanë matematikisht titullin kampion në vitin 2019. Për mua ai moment do të jetë i paharrueshëm edhe për arsye se është hera e parë që një ekip siguronte matematikisht titullin me fitore në derbi. Këta dy gola kanë qenë super të veçantë për mua.
Kush është favorit në këtë derbi të radhës?
Nuk diskutohet që favorit në derbi është Partizani. Jo vetëm tani, por ka kohë që Partizani hyn gjithnjë si favorit në derbi. Gjithsesi, derbi mbetet derbi si gjithmonë dhe do të jetë një ndeshje e luftuar nga të dyja anët. Besoj se në fund Partizani do të dalë faqebardhë pa pikë problemi.
A ka ndonjë lojtar që ju mendoni se mund ta vendosë derbin me cilësitë e tij?
Normalisht që ka lojtarë me cilësi të tilla, sepse jo më kot janë aty. Unë besoj se një mes Carës dhe Rrapajt do të vendosin këtë derbi.
U vendos se do të luhet me tifozë. Sa lajm i mirë është ky për futbollistët?
Normalisht, futbolli për tifozët luhet, kështu që besoj se një nga ndeshjet që e mbush stadiumin është derbi. Kështu që besoj se është lajm shumë i mirë për të dyja ekipet që të krijohet një atmosferë sa më e bukur në stadium. Të luash në derbi në atë lloj atmosfere të jep një ndjesi tepër të veçantë dhe një shtysë më tepër për të dhënë më shumë se maksimumin.
Na e bëni dot një parashikim për derbin e së dielës?
Besoj se ndeshja del 1-2 për Partizanin.
DENIS LALA