Emocione dhe spektakël ka prodhuar supersfida e Kategorisë së Parë mes Vorës dhe Flamurtarit në RTSH. Ruzgis është heroi i sfidës për vendasit, pasi shënon një tregolësh, në suksesin 3-2 të Vorës në përballjen direkte me rivalët nga Vlora.
Pas kësaj fitoreje të rëndësishme, Vora ngjitet e vetme në krye të renditjes së Kategorisë së Parë në kuotën e 34 pikëve, ndërsa Flamurtari mbetet në kuotën e 32 pikëve, po aq sa Besa.
Ndeshja nis shumë mirë për vendasit, që kalojnë në avantazh me Ruzgis. Takimi ndërpritet për disa minuta, pasi ka përplasje midis dy tifozerive. Me rifillimin e lojës është sërish Ruzgis, që shënon gol për Vorën.
Flamurtari reagon dhe rihap ndeshjen me Oshafin, që shënon në minutat shtesë të pjesës së parë. Në pjesën e dytë është Beqja që shënon golin e barazimit për vlonjatët dhe kthen shifrat në ekuilibër.
Ruzgis shënon një gol shumë të bukur, të tretin personal dhe i jep fitoren skuadrës së Bellait. Vora fiton 3-2 këtë duel direkt dhe tashmë ngjitet e vetme në krye të Kategorisë së Parë.