Dueli Vllaznia-Dinamo, takim ky i vlefshëm për javën e 16-të të Abissnet Superiore, do të luhet mbrëmjen e së mërkurës në stadiumin “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 19:30. Në pritje të kësaj ndeshje të rëndësishme për të dyja skuadrat, kuqeblutë kanë zhvilluar seancën e fundit stërvitore, ndërkohë që trajneri Tomas Brdariç është paraqitur në konferencën e shtypit, ku përpara gazetarëve shkodranë e ka cilësuar ballafaqimin e nesërm, si ndeshjespeciale duke kërkuar vetëm fitore për të vijuar traditën e të pamposhturit në Shkodër.
“Ndeshja e nesërme është speciale. Në ndeshjen e parë kundër Dinamos të gjithë e dinë që luajtëm shumë mirë, një karton i kuq na shkatërroi të gjitha planet. Mezi po presim të luajmë nesër se nga fundjava patëm rezultat zhgënjyes me Bylisin dhe do shoh si ekipi do reagojë. Dinamo ka bërë progres të mirë në drejtimin e Dajës, janë kandidat serioz për “Final Four”, sezoni është i gjatë, na duhet të marrim rezultat të mirë çdo ndeshje. Do jetë ndeshje e fortë kundër tyre, prandaj duhet të jemi shumë të përgatitur për këtë ndeshje. E dimë që nuk ishte mirë të ndërronim Gurishtën, 1 minutë para se të fillonte ndeshja, nuk u përgatit ndoshta mirë. E dimë që do mungojë të paktën deri në fillimin e vitit që do të vijë, prandaj do të na duhet zgjidhje. Sala ka bërë ndeshje të mirë. Krymi nuk besoj do jetë gati për 90 minuta, por do jetë pjesë e ekipit. Është mirë ta kesh me vete dhe na duhet balancë mjaft e mirë mes sulmit dhe mbrojtjes nesër.
Duhet të përballojmë dëmtimet, çdo ekip ka probleme dhe duhet t’i zgjidhim. Nesër do na duhen 11 plus lojtarë për të fituar në fushë, jemi ekip kompetitiv në shtëpi dhe duhet për ta përdorur në avantazh.
Kam thënë më përpara, ndeshjet jashtë janë komplet ndryshe me ndeshjet në shtëpi. Duam të jemi sa më variabël në stilin tonë të lojës, po punojmë me lojtarë që i kemi të gatshëm. Disa ndeshje janë ndryshe si mund të implementojmë gjërat. Stili ynë është i qartë, duam të luajmë në sulm. Çdo ndeshje ne krijojmë mundësi shënimi, por kryesorja të jemi sa më efektivë. Për ndeshjen me Bylisin kishim 3 raste në 10 minuta, pësuam me një pakujdesi. Prandaj duhet t’i parandalojmë duelet në mbrojtje, mos t’i japim Dinamos mundësi që të dalë nga presingu jonë. Për këtë duhet të jemi të përgatitur psikologjikisht dhe fizikisht. Besoj se nesër mund të fitojmë.
Objektiv të mbetemi të pamposhtur në Shkodër. Të gjithë e dinë se dua të fitoj çdo ndeshje, nuk ka lidhje me cilin ekip po luan. Dinamo ka pasur vazhdimësi të mirë rezultatesh, ato do të vijnë këtu me pretendimin për të marrë pikë. Duhet t’i tregojmë fytyrë të mirë, që luajmë në shtëpi dhe kemi ndeshjen në kontroll. Na duhet për këtë shumë përkushtim dhe për t’i përballuar në mënyrë sa më profesionale.
Kishim shumë shpresa të mëdha për Matouti. Pas dëmtimit në shpatull me Elbasanin, ra nga ana psikologjike dhe tani është në fazë rikuperimi. Ne bashkë me stafin po e presim çdo javë, disa rezultate nga analizat që po kryen, po nuk besoj se do kthehet shumë shpejt. Në fillim të merkatos do diskutojmë, e sollëm në ekip se pamë cilësi dhe kishim pritshmëri tek ai, donim ta rrisnim si të tjerët te Vllaznia. Ai lojtar i ri, do stërvitje dhe eksperienca. Ka treguar se ka cilësi, mund të bëjë diçka speciale, por pa stërvitje do të jetë e vështirë të kthehet shumë shpejt.
Shkojmë për të gjithë pikët në Shkodër, çdo ndeshje është një betejë dhe ka mënyrën e vet të implementimit të lojës. Shpresoj të jemi të gjithë të gatshëm dhe besoj është e mundur.
Është mirë të kemi pak presion, na duhet tensioni i duhur. Të jemi të përqëndruar deri në maksimum, të jemi të disiplinuar dhe në fund të kemi dëshirën për të fituar.
Ne jemi në diskutime, do shohim diçka nga ana e sulmit që të pushojë pak Bekimi. Besojmë se mund të luajë çdo ndeshje 90 minuta, por dhe ai ka nevojë për pak pushim. Në skuadrën tonë nuk kemi pasur numër 9 tjetër si Bekimi, kemi shumë sulmues në krah, por lojtarë në qendër po na mungojnë dhe ky do të jetë objektivi për të sjellë lojtarë”, u shpreh Brdariç.