Pas përfundimit të javës së 16-të, trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave kanë përzgjedhur formacionin më të mirë të javës. Paraqitjet aspak të mira të dy javëve të fundit, kanë bërë që në formacionin më të mirë të mos ketë asnjë përfaqësues të Vllaznisë.
Në portë është Gentian Selmani i Tiranës, i cili mbajti portën e paprekur në transfertën me Skënderbeun. Bruno Dita i Dinamo City dhe Artan Jazxhi i Teutës janë dy qendërmbrojtësit më të mirë të javës. Ndërsa dy mbrojtësit më të mirë të krahëve janë Agan Mjaki i Laçit dhe Florjan Përgjoni i Tiranës.
Tre mesfushorët më të mirë të javës së 16-të janë; Arinaldo Rrapaj i Partizanit, Serxho Ujka i Egnatias dhe Ledjo Tresa i Laçit.
Dy sulmuesit e Dinamo City, Baton Zabërgja dhe Tiago Nani, së bashku me sulmuesin e Partizanit, Christian Mba, përbëjnë repartin e sulmit.
Trajneri i javës është përzgjedhur tekniku i Dinamo City, Ilir Daja.