Kuqeblutë me mbrojtje të improvizuar ndaj kurbinasve
Një ditë para ndeshjes me Laçin, trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç, ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp. Tekniku gjerman ka bërë të ditur se ekipi do të ketë disa mungesa të rëndësishme, por megjithatë ai kërkon fitoren në këtë përballje.
Java e 18 e Abissnet Superiore starton të shtunën me takimin Vllaznia – Laçi. Në prag të kësaj sfide, trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric, ka dalë në një konferencë shtypi.
Tekniku gjerman do ta nisë këtë sfidë me një mbrojtje të improvizuar, pasi mungon e gjithë linja mbrojtëse për shkak të dëmtimeve.
“Kemi disa probleme, por asnjë justifikim për situatën. Do kemi skuadër konkurruese dhe normal në fund të vijë një rezultat sa më i mirë. Duhet të përballojmë dëmtimet. Kjo është mundësi dhe për lojtarët që nuk kanë marrë shumë minuta. Nuk duam të justifikohemi me ato që mungojnë, por lojtarët që do të jenë në fushë të zbatojnë sa më mirë detyrat”.
Ndonëse me shumë mungesa Brdaric kërkon fitoren nga kjo përballje.
“Është ndeshje e fortë ku duhet të mbrojmë me të gjithë lojtarët që kemi në lojë, të kemi balancë mes sulmit dhe mbrojtjes. Vllaznia ka objektiva që në çdo ndeshje për 3 pikë”.
Ai ka vlerësuar ekipin kundërshtar për lojën e mirë që po zhvillon nën drejtimin e Morieros, ndaj kërkon të jetë i kujdesshëm ndaj bardhëzinjve.
“Kemi respekt për Laçin, për të gjithë kundërshtarët në Superiore. Kam parë rritje te ndeshjet e Laçit. Duhet të parandalojmë si humbëm ndeshjen me Laçin sepse atje kishim momente mjaft të mira dhe në pjesën e dytë ramë. Nesër do të shkojmë vetëm për 3 pikët”.
Sfida Vllaznia – Laçi do të luhet të shtunën në orën 16:00 në stadiumin “Loro Boriçi”.