Dinamo do të presë Tiranën në “Elbasan Arena”, të shtunën duke nisur nga ora 19:00, takim i vlefshëm për javën e 18-të të “Abissnet Superiore”. Në prag të kësaj sfide, trajneri i bluve, Ilir Daja ka dalë në një konferencë për shtyp duke shpalosur objektivat.
“Dinamos i mungon një fitore në derbi, por besoj se ka bërë mirë në këto javë kampionati. Ne duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm. Derbi sigurisht që është ndeshje e veçantë, pasi nuk ka të bëjë me statistikat, me formën e njërit apo tjetrit ekip, si dhe me pozicionin në renditje”.
“Derbi luhet gjithmonë me motiv maksimal dhe i ka të tre rezultatet brenda. Pavarësisht se kemi vazhdueshmëri pak më të mirë se Tirana, nuk do të thotë se jemi favoritë, nëse nuk e marrin seriozisht ndeshjen, siç duhet marrë një derbi”.
“Çdo ekip ka pikat e tij të forta dhe jo të forta, siç i kemi edhe ne. Tirana e ka kolonën e humbjeve me të njëjtën shifër sa edhe ne, pavarësisht se unë nuk kam qenë në dy ndeshjet para me rezultat negativ. Do të jetë e vështirë ndaj një ekipi që mbrohet mirë, me shumë forca. Edhe Tirana ka pikat e saj jo të forta, që ne duhet t’i shfrytëzojmë”.
“Mandela ka vetëm një ditë që është kthyer në stërvitje me ekipin dhe është shumë pak kohë që ta startojë ndeshjen. Nuk do ta sakrifikojmë, por mund të ketë ndonjë minutazh. Jemi ekip që krijojmë shumë raste, por duhet të jemi më cinikë. Në futboll në fakt nuk mund të shënohen gol të gjitha rastet. Edhe po të vazhdojmë me këtë ecuri, mirë do të jemi, pavarësisht se me Laçin kemi humbur raste”.
“Tirana ka një fazë mbrojtjeje të mirë, sepse nuk mbron vetëm mbrojtja, por gjithë ekipi. Lojtarët kthehen shpejt në pozicionet e tyre me humbjen e topit. Ne kemi një sulm shumë të mirë, që do të thotë se përplasen një ekip me një mbrojtje të mirë me një ekip me sulm të mirë. Shpresojmë që sulmuesit tanë të mos i japin kohë mbrojtjes së Tiranës dhe ta rregullojnë shënjestrën, që rastet që krijohen në derbi, t’i shfrytëzojmë. Sepse derbi nuk është se prodhon shumë situata përpara portës”.
“Është derbi mes dy ekipeve më të titulluara në Shqipëri, Tirana dhe Dinamo. Dhe tek ekipet e titulluara ka gjithmonë presion në çdo ndeshje, jo vetëm në derbi. Nuk jemi pa presion, por duam ta vazhdojmë ecurinë pozitive. Presioni mendoj se është 50 me 50”.
Për ndeshjen e javës së 18-të të kampionatit skuadra do të ketë sërish mungesat e Bregut dhe Muzek.