Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edi Reja, ka ndjekur ditën e djeshme seancat stërvitore të Përfaqësuese Rajonale të Shkodrës për grupmoshat U-13, U-14 dhe U-15. I shoqëruar nga stafi i tij, zevëndës trajnerët Sergio Porrini dhe Ervin Bulku, si edhe drejtori teknik Giancarlo Camolese me specialistin e ekipeve kombëtare, Sulejman Mema, ata kanë ndjekur në detaje seancën stërvitore të aplikuar nga trajnerët Rudi Piraniqi, Brikeno Bizi dhe Astrit Prenҫi.
Edi Reja nuk e ka fshehur kënaqësinë për punën që bëhet me Përfaqësueset Rajonale nga Federata Futbollit dhe duke folur për fshf.org nënvizoi se i gjithë stafi i tij do të jetë i angazhuar në ndihmë të futbollit të moshave. “U ndjeva shumë mirë në Shkodër, duke parë pothuajse 100 lojtarë që stërviteshin me entusiasëm dhe dëshirë për fanellën që mbanin veshur. Gjithҫka ishte e organizuar shumë mirë në fushën e lojës dhe kjo sigurisht që meriton vlerësim, duke parë që puna ecën përpara përtej vështirësive momentale. Kjo është pjesë e projektit të drejtorit Kamoleze. Unë mund vetëm të jap këshilla, orientime nga pikëpamja teknike së bashku me bashkëpuntorët e mi Porrini dhe Bulku. Kemi parë dhe ndjekur gjithҫka në detaje. E qartë që tani do të flasim me drejtuesit e Federatës për ti dhënë një linjë dhe një program të qartë. Ne do të ndikojmë shumë më shumë me përfundimin e pandemisë, me stafet tona që do të jenë shumë herë më të pranishme pranë përfaqësueseve rajonale dhe skuadrave të moshave, për të hedhur piketa të rëndësishme për një të ardhme të mirë”, u shpreh trajneri Reja.
Trajneri Reja sëbashku me stafin e tij do të ndjekin në ditët në vazhdim dhe seleksionimet që Sektori Ekipeve Kombëtare do të zhvillojë për skuadrat Kombëtare U-18, U-19 dhe U-20.