Vllaznia U17-Egnatia U-17 7-0(Shënuese: Egla Hoxha 2’, 35’, Lusil Cungu 8’, 63’, Herta Hasaj 11’, 23’, Klara Preka 64’)
Vllaznia e futbollit të femrave për kategorinë U17 mundi me rezultat të thellë, 7 me 0 Egnatian e Rrogozhinës. Ndeshja e luajtur paraditen e sotme në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës u dominua tërësisht nga skuadra kuqeblu, e cila tundi plot shtatë herë rrjetën e skuadrës mysafire, pa pësuar asnjë gol.
Më të spikaturat e kësaj ndeshje, ishin Egla Hoxha, Lusil Cungu dhe Herta Hasaj, të cilat shënuan nga dy gola secila, ndërkohë goli i shtatë mban firmën e Klara Prekes.
Skuadra kuqeblu, e cila drejtohet nga trajneri Nikolin Leka, njkohësisht edhe trajner i ekipit të parë, e nisi me gol ndeshjen, teksa që në minutën e dytë është Egla Hoxha që shënon në portën rrogozhinase.
Tetë minuta më pas është Lusil Cungu, e cila shënon golin e dytë, dhe një minutë pas, goli i Herta Hasajt, e çon në 3 me 0 avantazhin e Vllaznisë.
Në minutat e pjesë së parë, ka vend edhe për gola të tjerë, të cilat vijnë sërishmi me Hasajn, dhe më pas edhe Hoxhës, duke e mbyllur këtë pjesë me avantazhin 5 me 0 në favor të Vllaznisë.
Edhe pase në avantazh të pesë golave, Vllaznia vazhdon të ushtrojë presion në portën e Egnatias, si rezultat i së cilës vijnë edhe dy golat e tjerë kuqeblu brenda dy minutash, 63’ dhe 64’, fillimisht me Cungun, si dhe më pas edhe me Klara Preken. Gola këto që mbyllin të gjithë ndeshjen me avantazhin e Vllaznisë, 7 me 0.
Fitorja e sotme e Vllaznisë U17, ishte e dyta radhazi në kampionat, duke kryesuar tabelën e klasifikimit me 6 pikë dhe me golaverazh pozitiv, 11 me 0.
(Video) Pamje nga ndeshja e futbollit femra, Vllaznia U17-Egnatia U17, e fituar 7-0 nga skuadra kuqeblu
Gaspër MARKU