Edhe pse zyrtarisht hapet në janar, në klubin kuqeblu të Vllaznisë kanë nisur më herët të mendojnë për merkaton, ku përpos afrimeve pritet të ketë edhe largime.
Për këtë të fundit, gjithnjë nga informacionet pranë klubit kuqeblu, më i mundshmi për të mbyllur bashkëpunimin me Vllazninë pritet të jetë Marko Juriç, por edhe ndonjë tjetër pjesëtar i prapavijës, si dhe të repartit e sulmit.
Përsa i përket afrimeve, bëhet fjalë për dy të tillë. Njëri, që i përket prapavijës dhe që konsiderohet çështje e mbyllur është shkodrani Serjan Repaj, i cili i dalë nga ekipet zinxhir të klubit kuqeblu, formimin e tij si futbollist e ka bërë në radhët e Apolonisë së Fierit ku edhe ka shkëlqyer me formën e tij sportive.
Ndërkohë, emri tjetër është i sulmuesit ganez Alfred Mensah, që më herët ka qënë pjesë e Ballkanit në Kosovë, teksa në këtë sezon ka mundur të luajë vetëm në 6 takime me Partizanin.
Fatos LAMAJ