Viktor Da Silva është një nga lojtarët e huaj që ka lënë shenjë në kampionatin tonë në vitet e fundit. Braziliani që ka mbajtur veshur fanellën e Vllaznisë dhe Partizanit, ka fituar gjithçka në elitën e futbollit shqiptar. Në një intervistë së fundmi për “Panorama Sport”, fantazisti ka folur për aventurën e tij në Uzbeksitan, ku u shpall kampion me ekipin e Nasaf Qarshi. E ndërsa ndër të tjera ndan edhe një mendim për kampionatin shqiptar e teksa thekson se Brdariç është trajneri i duhur për Vllazninë dhe që mund t’i udhëheqë kuqeblutë drejt titullit kampion.
Përfunduat një sezon në Uzbekistan. Si shkoi ky edicion?
Sezoni në lidhje me performancën e ekipit ka qenë i shkëlqyer. Kjo pasi u arrit fitimi i titullit kampion. Në aspektin personal mund të them se ishte disi i pafat. Kjo pasi kam kaluar një dëmtim në gju që më ka mbajtur jashtë fushave 4 muaj. Por, falë Zotit u ktheva në 4 ndeshjet e fundit sezonale mes kampionatit dhe Champions League të Azisë.
Tomas Brdariç është rikthyer sërish te Vllaznia. Është ky sezoni i duhur për tu shpallur kampion?
Ai është trajneri i duhur sepse e njeh qytetin, njeh atmosferën në skuadër dhe më e rëndësishmja e njeh Superioren. Nuk do jetë e lehtë për të sjellë titullin në Shkodër, por besoj se kanë një mundësi të madhe për ta arritur. I uroj Brdariç dhe qytetit të Shkodrës suksese sepse e meritojnë.
Endri ÇINARI