Vllaznia-Flamurtati 50-77(25-27, 7-12, 6-21, 12-17)
Vllaznia dhe Flamurtari në basketboll për femra janë përballur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës në kuadrin e Javës së 11-të të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë së Parë.
Një sfidë disi e pabarabartë në emra, kur kemi parasysh Vllazninë bio të kampionatit shqiptar e cila përfaqësohet me të gjitha vajza shkodrane, madje edhe më të rejat në moshë të kampionatit dhe Flamurtarin i përforcuar me basketbolliste të huaja që kryeson kampionatin së bashku me Tiranën.
Një ndeshje që pati rivalitet në pjesën e parë, kur perioda e parë mbyllet me shifrat 25-27 për vlonjatet dhe e dyta 7 me 12 po për Flamurtain, i cili mbyllën pjesën e parë në avantazh me shifrat 32-39.
Ndërkohë, ajo që vendos fatin e kësaj ndeshje është pjesa e dytë, kur skuadra mike e drejtuar nga trajneri Agim Dalipi dikton plotësisht në fushën e lojës, për të cilën flasin edhe shifrat e dy periodave të kësaj pjese në favor të mikeshave nga Vlora, 6-21, perioda e tretë dhe 12-17 perioda e katërt duke fiksuar në përfundim të krejt ndeshjes rezultatin 50-77 në favor të Flamurtarit.
Një humbje në një farë mënyre e pritje e skuadrës kuqeblu për vetë kualitetin e skuadrës vlonjate, por ajo që mund të thuhet është se Vllaznia fitoi vajzat e reja, 17 vjeçaret Medina Hyka, Isra Dibra, Rumejsa Haka, dhe në mënyrë të veçantë 14 vjeçaren Visara Demaj, e cila sipas edhe trajneres kuqeblu Medina Mustafa, debutoi me një përformacë pozitive në këtë ndeshje.
(Video) Pamje nga ndeshja e basketbollit femra, Vllaznia-Flamurtari 50-77. Java e 11-të e KK Kategoria e Parë, si dhe prononcimet e trajneres së Vllaznisë Medina Mustafa, si dhe trajnerit të Flamurtarit Agim Dalipi.