Vllaznia është një nga skuadrat e momentit në Superiore, e ka nisur 2025-ën me 2 fitore në kampionat përballë Tiranës dhe Skënderbeut, si dhe ka kaluar në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Ndriçim Shtubina, ish-sulmues i kuqebluve dhe drejtor i akademisë së Vllaznisë, ka folur në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”.
Ai ka analizuar fitoren e fundit ndaj Skënderbeut, duke evidentuar dominimin e ekipit të Brdariç. Shtubina ka dhënë një opinion edhe për sfidën e fundjavës me Egnatian kampione në fuqi, ku ai është aktivizuar gjithashtu.
Shtubina, një fitore e thellë e Vllaznisë përballë Skënderbeut në Korçë, ku skuadra shkodrane dominoi totalisht, apo jo?
Vllaznia besoj se bëri një lojë shumë të mirë në Korçë ndaj Skënderbeut. Ia bëri gjithçka më të lehtë vetes në një ndeshje, që patjetër mund të kishte “siklet”, sepse korçarëve u duheshin pikët për mbijetesë. Por Vllaznia u përgjigj jashtëzakonisht mirë në fushë dhe meritoi gjithçka. Dominoi në çdo gjë.
Në fundjavë Vllaznia luan një përballje rivalësh me Egnatian. Si një “ish” i dy ekipeve, si e parashikon Shtubina këtë sfidë?
Është një ndeshje që duhet shijuar, pasi përballë vihen dy nga skuadrat më të mira të kampionatit. Megjithatë, këtë edicion unë e shoh Vllazninë një hap më përpara dhe besoj se do ta kalojë me sukses Egnatian, duke marrë një fitore të rëndësishme në “Loro Boriçi”.
Endri ÇINARI