Teuta-Vllaznia 1-3(Shënues: 60′ Beshiraj / 2′ Mala, 23′ (p) Balaj, 47′ Dodaj)
Vllaznia harron shumë shpejt humbjen në shtëpi me Egnatian për javën e 22-të dhe sot në kuadrin e javës së 23-të është rikthyer tek fitorja duke mundur në transfertë Teutën me rezultatin 1 me 3.
Fitorja e kuqebluve u bë më e lehtë kur që në minutën e dytë kalojnë në avantazh me anë të Malës, ndërkohë që në 23-tën shënojnë edhe golin e dytë me anë të kapitenit Bekim Balaj.
Ndërsa, në të parin ishte aftësi e Malës, falë edhe një gabimi të mbrojtjes durrsake, i dyti është për meritë të dyshes, Balaj-Dodaj. Balaj pasoi tek Dodaj në zonë, i cili me një veprim teknik fiton penallti, të cilën e shndërron në gol Balaj.
Pjesë e 45 minutave të para është edhe një shtyllë e tronditur nga ana e sulmuesit Kevin Dodaj, që për fat të durrsakëve u kthye në lojë.
Pjesa e dytë është fotokopje e së së parës, pasi janë përsëri kuqeblutë që shënojnë në të njëjtin hark kohor, në të dytën e minutë. Nëse në pjesën e parë, e pengoi shtylla, këtë radhë, 19 vjeçari i talentuar i kuqebluve, Kevin Dodaj shënon një supergol duke e dërguar topin në trekëndëshin e sipërm të portjerit vendas Tafas.
0 me 3 për Vllazninë. Avantazh i merituar i Vllaznisë, nga ana tjetër, edhe pse bëri lëvizje në formacion, Teuta goditet me pësimin e golit të tretë. Megjithatë, vendasit të drejtuar nga trajneri Bledar Devolli bëjnë përpjekjet maksimale për të rihapur ndeshjen. Falë edhe lëvizjeve të tjera në formacion, loja e tyre rritet, por nuk shkon më shumë sesa shënimi i një goli të vetem duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllet me fitoren e Vllaznisë, 1-3.
Fitore kjo e Vllaznisë që duke pritur edhe ndeshjet e ditës së nesërme e pozicion momentalisht në vendin e dytë pas Egnatias kryesuese. Ndërkohë, humbja në shtëpi me Vllazninë, e dytë radhazi pas asaj në Korçë, e rëndon akoma më shumë situatën në kampin durrsak.