Vllaznia po kalon një moment shumë të mirë, me dy fitore radhazi që e mbajnë pranë Egnatias kryesuese dhe disi të shkëputur nga Partizani dhe Dinamo. Shkodranët mundën 3-0 Bylisin së fundi në “Loro Boriçi” dhe tashmë presin plot entuziazëm sfidën e radhës me Dinamon, një rivale direkt në “Final 4”. Me rikthimin e disa lojtarëve nga problemet fizike duket se skuadra e trajnerit Brdariç ka gjetur ritmin e duhur dhe po funksionon si duhet.
STOJANOVIÇ – Një nga më të mirët e ndeshjes ndaj Bylisit ishte mbrojtësi Milosh Stojanoviç, i cili shënoi golin e dytë dhe të sigurisë për Vllazninë. Mbrojtësi serb ka folur për “Panorama Sport” pas fitores me Bylisin dhe ka theksuar se skuadra duhet të shohë me besim përpara.
“Ishte një ndeshje që duhej fituar ajo me Bylisin dhe jam i gëzuar që ia dolëm. Besoj se e merituam, sidomos me lojën që bëmë në pjesën e dytë, ku dominuam. Ishim ekipi më i mirë në fushë dhe këto 3 pikë janë shumë të rëndësishme. Goli? Bylisi më duket se më sjell fat (qesh). Nuk ka rëndësi kush shënon, por që ekipi të fitojë. Në fund, kur golat e një lojtari shërbejnë për sukses, atëherë kanë vlerë dhe të japin kënaqësi. Mospësimi i golave është për meritë të të gjithëve, sepse mbron e gjithë skuadra, jo vetëm mbrojtja. E njëjta gjë edhe për sulmin, sulmon i gjithë ekipi. Por është kënaqësi kur nuk pëson gol, pasi tregon që i gjithë grupi ka funksionuar siç duhet dhe loja ka qenë aty ku dëshiron trajneri. Dinamo? Tani e gjithë vëmendja jonë shkon pikërisht te kjo sfidë. Përqendrimi do të jetë në maksimum dhe do të përpiqemi të bëjmë sa më mirë edhe kundër këtij rivali të fortë”, ka thënë mes të tjerash Stojanoviç.
SHËNUESIT Në ndeshjen e fundit me Bylisin regjistroi emrin në listën e golashënuesve të Vllaznisë edhe Amir Kahrimanoviç, i cili realizoi të tretin në fund. Ishte rrjeta e parë e mesfushorit me fanellën kuqeblu, në sezonin e parë me këtë skuadër. Ai u bë lojtari i 12-të që gjen golin me 9 herë kampionët e vendit në Superiore. Shkodranët kanë shumë futbollistë që kanë gjetur minimalisht një herë rrjetën, tashmë numri i tyre shkon në 12. Kënaqësinë e golit këtë kampionat e kanë provuar mbrojtësit Bajrami, Spahija dhe Stojanoviç, ky i fundit madje tri herë. Për të vijuar në mesfushë, ku Qato, Sala dhe Kahrimanoviç kanë shënuar nga 1 gol, ndërsa Mala, nëse do ta llogarisim si mesfushor, ka shënuar 6 gola. Në sulm pastaj janë të shumtë lojtarët që kanë gjetur golin deri tani. Delaj ka shënuar 1 gol, Çoba dhe Gruda nga 2 gola, Dodaj 5 gola dhe kryegolashënuesi i kampionatit, kapiten Balaj, me 14 gola pas 24 javësh.
Endri ÇINARI