Ekipi i basketbollit për meshkuj i Partizanit ka arritur të triumfojë në ndeshjen finale për ngjitjen në Superiore duke mundur Elbasanin në pallatin e sportit “Tomorr Sinani” me rezultatin 90-85.Ky ishte një duel i fortë dhe emocionues pasi pjesa më e madhe e ndeshjes ishte e barabartë .Ndryshimi i rezultatit erdhi kryesisht gjatë periodës së tretë të lojës ku ekipi i Partizanit arriti të ndërmarrë një avantazh të rëndësishëm që e mbajti deri në fund.
Në fillim të ndeshjes periudha e parë ishte mjaft e luftuar nga të dyja ekipet që treguan angazhim të madh dhe luftuan fort për çdo top. Të dy ekipet kërkonin të shfrytëzo in çdo mundësi për të shënuar, ndërsa mbrojtjet ishin të forta dhe gabimet ishin të paktë. Rivaliteti i ashpër mes Partizanit dhe Elbasanit u reflektua në rezultatin e kësaj periudhe, që mbyllet me barazim të plotë, 20-20.Në periodën e dytë, Elbasani i mbështetur nga tifozët e tij të zjarrtë arriti të shfrytëzojë entuziazmin e publikut dhe të marrë një epërsi të vogël. Megjithatë, Partizani mbeti i vendosur dhe në fund të kësaj periode shifrat ishin 40-39 në favor të vendasve, një avantazh të cilin Elbasani do të përpiqej ta mbante deri në fund të ndeshjes.
Gjatë periodës së tretë, Partizani tregoi forcën e tij duke ndërmarrë një strategji më agresive dhe duke rritur diferencën në 17 pikë. Lojtarët e Partizanit shfrytëzuan dobësitë e Elbasanit, veçanërisht humbjet e shumë topave që shpërndaheshin në mënyrë të pakontrolluar. Ky ishte një moment kritik i lojës që i dha ekipit të kryeqytetit një epërsi të madhe. Pas një periode mjaft të fortë ajo u mbyll me rezultatin 53-64 në favor të Partizanit duke i dhënë atij një avantazh të konsiderueshëm prej 11 pikësh.Elbasani, megjithatë nuk e dorëzoi veten dhe në periodën e katërt tentoi të përmbysë shifrat duke shtuar presionin mbi Partizanin. Ata u përpoqën të ngushtonin diferencën, por përpjekjet e tyre nuk ishin të mjaftueshme për të kthyer rezultatin. Partizani mbajti nën kontroll lojën dhe në fund mundi të fitojë me shifrat 90-85, duke siguruar ngjitjen në Superiore dhe duke shpallur veten kampionët e këtij “play-off”-i të basketbollit të meshkujve.
Kjo fitore e Partizanit është një arritje e madhe për klubin e të kuqve që ka treguar nivel të lartë të lojës dhe ka arritur të shfrytëzojë më së miri mundësitë e tij gjatë ndeshjes finale. Pavarësisht përpjekjeve të Elbasanit, ekipi i Partizanit arriti të ruajë avantazhin dhe të festojë triumfin që i siguron vendin në elitën e basketbollit të Shqipërisë.
(Video) Atmosfera e ndeshjes finale Partizani-Elbasani, basketboll për meshkuj 90-85, ku Partizani ngjitet në Superiore.