Besëlidhja-Vllaznia 78-65(25-12, 20-21, 11-7, 22-15)
Teuta-Apolonia 83-82(28-20, 21-20, 18-23, 16-19)
Playoffs në Superligën e Meshkujve, që është edhe faza më e nxehtë e sezonit ka nisur sot me dy përballje rivalësh në mes katër më të mirave të kampionatit: Besëlidhjes, Teutës, Apolonisë dhe Vllaznisë.
Sipas kalendarit të përcaktuar më herët, Teuta dhe Apolonia janë përballur të parët prej orës 18:00 në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, aty ku pas një dueli të ashpër, fitues kanë dalë me një pikë diferencë durrsakët me rezultatin 83-82.
Ndërkohë, beteja e çiftit tjetër gjysmëfinalist, Besëlidhja-Vllaznia është luajtur prej orës 20:00 të mbrëmjes së sotme në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit.
Një ndeshje kjo që ka nisur më mirë për lezhjanët e drejtuar nga trajneri shkodran Afrim Bilali, të cilët dalin fitues të periodës së parë me shifrat 25-12. Vllaznia e drejtuar nga trajneri Eni Llazani kundrapërgjigjet duke fituar periodën e dytë 20-21, por pa shmangur humbjen e pjesës së parë, 45-33.
Pas kthimit nga dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve, Vllaznia është më e saktë në veprimet e saj, gjë që shpërblehet me fitoren e periodës së tretë, 11-17 duke e shkurtuar diferencen e disavantazhit deri në katër pikë.
Loja e mirë e Vllaznisë vazhdon edhe në periodën e katërt duke vijuar ta mbajë diferencen në jo më shumë se katër pikë, madje në disa momente duke pasur shanset të shkojë edhe më tej në barazimin e rezultatit.
Megjithatë, përvoja dhe kualitetet e Besëlidhjes kampione bëjnë diferencën, duke bërë që në pesë minutat e fundit, duke përfituar edhe nga shpërdorimi i disa aksioneve të Vllaznisë, të fitojnë të gjithë ndeshjen me rezultatin 78-65.
Sipas formulës së gjysmëfinaleve të fazës Play Off, ajo skuadër që arrin të realizojë tre fitore shkon në finale, që do të thotë se nëse Vllaznia fiton takimin e dytë i planifikuar për t’u luajtur mbrëmjen e së dielës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” prej orës 20:00, atëherë minimalisht do të luhen katër takime, dhe nëse në vijim mund të ketë barazim fitoresh 2-2, atëherë do të luhet një ndeshje e pestë për të fiksuar ekipin finalist.