Vllaznia-Lushnja 3-0(25-17, 25-9, 25-13)
Vllaznia: Laura Ballçiti, Esmeralda Tuci, Azra Williams, Edna Erkoçi, Kejsi Axhemi, Adma Mikopula, Elira Rukaj, Klodeta Zhivani, Ariola Kuti, Marjana Ndou. Trajner: Nora Deda
Gjyqtarë: Kastriot Tota, Ardit NURJA
Kur duhej të ishte pjesë e ndeshjeve të fazës Play Off në luftën për titull, pasi realisht edhe ballafaqimet me ekipet pretendente kanë qënë dinjitoze, Vllaznisë në volejboll për femra, për të qëndruar në Superligë, i duhet të ballafaqohet me Lushnjen, vendin e dytë të Kategorisë në Dytë, e cila nga ana e saj kërkon ngjitjen në Superligë.
Sfida e parë është luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës dhe ka qënë plotësisht e dominuar nga Vllaznia, e cila e mbylli të gjithë ndeshjen me fitore, me rezultatin 3-0.
25 me 17 mbyllet seti parë në fitim të skuadrës kuqeblu, 25-9 seti i dytë, duke e çuar avantazhin e seteve në 2-0 për Vllazninë. Në setin e tretë dukek se ka një lëvizje në kampin lushnjar të drejtuar nga trajnerja Erilda Allkanjari, teksa barazon 5 me 5, madje pati një moment që edhe mori kryesimin duke të krijuar idenë se ky set mund të kishte një rivalitet më të madh në fushën e lojës.
Megjithatë, pushimi i kërkuar nga trajnerja Nora Deda, ndikon shumë pozitivisht tek Vllaznia, e cila jo vetëm barazon por nis shkëputjen në pikëzim. Set ky që shoqërohet me aktivizimin edhe të lojtareve të reja nga stoli, Elira Rukaj, Ariola Kuti dhe Kejsi Axhemi, të cilat dhanë sinjale premtuese për të ardhmen, sidomos Axhemi, e cila në rolin e pasueses kombinoi mjaft mirë me amerikanen Azra Ëilliams duke kontribuar në shënimin e disa pikëve radhazi që mbyllen setin me fitore, 25-13.
Në këtë mënyrë, Vllaznia hedh hapin e parë të fitimit të këtij dueli me skuadrën lushnjare, por gjithçka mbyllet në takimin e dytë që do të luhet me datë 16 prill në pallatin e sportit “Llazar Lupo” të Lushjes, që nëse Vllaznia fiton, me rezultatin 2-0, skuadra kuqeblu siguron qëndrimin në kategorinë e Superligës.
Në rast të kundërt, nëse ndeshjen e dytë e fiton Lushnja, sipas formulës së FSHV-së, do të luhet një ndeshje e tretë përsëri në Shkodër me datë 20 prill 2025.
(Video) Ndeshja, Vllaznia-Lushnja, volej femra 3-0. Play in-Play out. Transmetim i Veriu Sport-me koment
Gaspër MARKU