Një lajm i mirë për sportin e koshit. Të mërkurën rikthehet Kampionati Kombëtar i Basketbollit. Dy ekipet e Vllaznisë për femra dhe meshkuj presin në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ekipet e Tiranës.
Sipas kalendarit të publikuar nga Federata Shqiptare e Basketbollit, në orën 15.00 është planifikuar të luhet ndeshja e femrave, Vllaznia-SH.K.B.Tirana, e vlefshme për Kategorinë e Parë. Ndërkohë, dy orë më pas, në 17.00 në parketin e “Qazim Dervishit” do të zbresin ekipet e meshkujve të Vllaznisë dhe Tiranës. Sa i përket ballafaqimit të meshkujve, ndeshja në fjalë është për fazën e fundit të kategorisë së Superligës. Në program janë pesë ndeshje, prej të cilave përcaktohet edhe 4 ekipet më të mira që më pas do të ndeshen në fazën Play-Off.
Në dy fazat e para të kampionatit, Vllaznia nuk ka patur një ecuri pozitive, gjë për të cilën detyroi presidencën kuqeblu që të ndërhyjë duke larguar trajnerin amerikan Mathew Jones dhe duke i besuar drejtimin e skuadrës ish basketbollistit shkodran, Afrim Bilali.
Kampionatin Kombëtar të Basketbollit për meshkuj, Kategoria Superiore e kryeson Goga Basket me 20 pikë. Në vend të dytë renditen, Teuta dhe Vllaznia me nga 17 pikë, Tirana është e katërta me 14 pikë, Partizani i pesti me 12 pikë dhe Eagles i fundit me 10 pikë.