KF Vllaznia ishte me dy përfaqësues në hedhjen e shortit për fazën “Final 4”, drejtorin sportiv Tefik Osmani dhe trajnerin Tomas Brdariç. Në prononcimet e tyre për median, ndërsa Brdariç foli në aspektin teknik rreth përballjes me rivalen Dinamo në gjysmëfinale, në komentin e Osmanit, ra në sy gatishmëria për të ekspozuar dhe konfirmuar atë, që prej kohësh lakohet në distancë si një mbështetës i kuqebluve, komentoi, bisnezmenin e suksesshëm Ardit Kraja.
“Më bëhet qejfi që është afruar edhe Arditi. Me Ardit Krajën kam marrëdhënie jo prindërish, por si vëllai i madh me të voglin, jam më lirshëm kur flas sepse me prindërit mund të kursehesh pak. Me vëllain thua çdo gjë që ke nevojë. Duhen respektuar të gjithë presidentët. Arditi është afruar si mik i ngushtë i presidentit Xhaferi. Aq më tepër është tifoz, ka qenë gjithmonë afër klubit Vllaznia. Nuk mendoj që ka patur apo mund të ketë probleme te financat.”, u shpreh Tefik Osmani para gazetarëve në “Shtëpinë e Futbollit”.
I pyetur në aspektin personal, kur është në media është komentuar edhe një takim me presidentin e Flamurtarit Sinan Idrizi duke aluduar për një largim të mundshëm, Osmani u shpreh: “Marrëdhëniet te Vllaznia i kam shumë të mira. Kam dalë para pak ditësh dhe jam keqkuptuar. Jam pjesë e Vllaznisë, kam thënë kur nuk e bëj punën mirë, marr çantën dhe iki, nuk më mban kontrata. Me presidentin Xhaferi kam krijuar marrëdhënie si te Tirana me Refik Halilin. Jam ai djali i madh që e di se 1 ditë do iki pasi prindërit i mban gjithmonë djali i vogël.”
(Video) Prononcimin e plotë të drejtorit sportive të KF Vllaznia, Tefik Osmani, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.