Mads Pedersen ka përsëritur suksesin e etapës së parë duke fituar edhe në të tretën, e cila nisej dhe mbaronte në Vlorë. Çiklisti danez i ekipit Lidl-Trek, ashtu siç bëri në etapën e parë, triumfoi falë një sprinti të fuqishëm në metrat e fundit.
Edhe sot për Pedersen ishte fondamentale puna e bërë nga shoku i ekipit Vaçek, i cili e shoqëroi deri në metrat e fundit. Në etapën e stome Pedersen mundi Strong dhe fitoi pikët e mjaftueshme për të riveshur fanellën rozë.
Ky sukses e ngjit Pedersen në majën e klasifikimit të përgjithshëm me kohën 7:42:10, ndërsa në vendin e dytë renditet Primoz Rogliç me kohën 7:42:19. Në vendin e tretë është çiklsiti tjetër i ekipit Lidl-Trek, Matias Vaçek me kohën 7:42:24. Kjo fitore ishte e 52-ta në karrierë si profesionist për Pedersen, i cili kalon Rolf Sërensenin (mbante rekordin në Danimarkë për gara të fituara si profesionist). “Rekordet vendosen për tu thyer. Shpresoj që një ditë të thyejnë edhe rekordin tim të sotëm”, tha Pedersen.