Një ditë më parë “Vllaznia Diasporë”, paralajmëroi largimin e radhës nga Vllaznia. Bëhet fjalë për mbrojtësin e qëndrës Serjan Repaj, i cili pas 6 muaj bashkëpunim, e mbyll me kuqeblutë.
Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, gjatë merkatos dimërore, Repaj la Apoloninë ku luajti për katër sezone me radhë, madje duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit dhe nënshkroi për Vllazninë, kontratë e cila ishte me afat kohor deri në fundin e sezonit 2026-2027.
Fiilimisht si alternativ, por shumë shpejt ai fitoi besimin e teknikut gjerman Brdariç duke luajtur titullar te Vllaznia. Por, me ardhjen e Edi Martinit në krye të kuqebluve, gjërat ndryshuan.
Edhe pse në mbyllje të sezonit 2024-25, dy rivalët e tij, Stojanoviç dhe Juriç u larguan nga Vllaznia, ardhja nga Teuta e treshes Jazxhi-Kouros-Kruja, por edhe e Hakajt nga Elbasani, për 24 vjeçarin, gjërat u vështirësuan për të marrë minuta, ndaj në mirëkuptim me KF Vllaznia, Serjan Repaj e mbylli me kuqeblutë.
Ndonëse, KF Vllaznia, akoma nuk e ka zyrtarizuar një largim të tillë, vetë Repaj e konfirmon për Veriu Sport një gjë të tillë. Madje, ai nuk e ka zhvilluar fare seancën e radhës, sepse pasi është përshëndetur me të gjithë kolegët dhe stafin teknik të skuadrës kuqeblu, është larguar nga fusha stërvitore duke e mbyllur me Vllazninë. Vazhdimësia e karrieres sportive të Repajt, tashmë pritet në një skuadër tjetër, brenda apo jashtë vendit, ku destinacioni, akoma nuk bëhet i ditur…