Sunday, November 24, 2024

Privatizimi i Vllaznisë, të marten ora 11:00, Bashkia Shkodër hap ankandin për shitjen e aksioneve të klubit kuqeblu

Lexo

Një lajm i mirë për futbollin shkodran. Privatizimi i Vllaznisë, ai që kërkohej prej shumë kohësh nga mjedisi sportiv shkodran dhe më gjerë, dhe kryesisht tifozëria e zjarrtë kuqeblu, ka marrë rrugë. Të martën, ora 11.00, në mjediset e Bashkisë Shkodër hapet proçedura e Ankandit për shitjen e Klubit të Futbollit Vllaznia.

Një proces që pati nisur më heret, por që si rezultat i ankimimit të dy prej subjekteve privatë të biznesit të interesuar për t’u futur në garë, bëri që Komisioni i Prokurimit Publik të vendosë bllokimin e ankandit deri në përmirësimin e termave ligjore. Dhe tani, pas gati rreth dy muajsh pritje, çdo gjë është gati. Nga sa është mësuar, sa i përket riparimeve të procedurës, bëhet fjalë për shtojcen 5.2 pika “u” e dokumentit, e cila është hequr, teksa ka pasur ndryshime edhe në pikën “q” të saj. Tanimë shkresa e re e ribërë është finale, me pjesën e sponsorizimeve të ngjashme që është hequr. Sponsorizimet e tjera të mëparshme në ekip duket se nuk do të njihen ose do të ndryshohen.

Këto pika me sa mësohet kanë bërë që të gjithë të interesuarit që do të jenë në garë do të jenë të barabartë dhe pa favorizime siç ishin në aktin e parë për këtë ankand. Bashkia Shkodër, si pronare e klubit, ka nxjerrë në shitje skuadrën në masën 10% me vlerën fillestare që është afërsisht 600 milionë lekë të vjetër. Për pjesën e shumës së borxhit që për klubin e futbollit Vllaznia vetëm në Drejtorinë e Tatimeve ishte afro 1.7 miliard lekë, që tani ka rënë dhe është futur në aktmarrëveshje për pagesë, pritet që të likujdohet nga ana e Bashkisë Shkodër. Por, që gjithsesi, burime nga bashkia bëjnë të ditur se kjo çështje mund të ketë një diskutim më të gjërë mes palëve të interesuar.

Ndonëse nuk është krejtësisht zyrtare, deri më tani, tre janë emrat e ekspozuar që do të jenë në garë, Alban Xhaferi, sponsor aktual i KF Vllaznia, Valter Fushaj, ish-president i klubit të futbollit Vllaznia, i cili në drejtimin e klubit kuqeblu fitoi Kupën e Shqipërisë në vitin 2008, trofeu i fundit i fituar nga skuadra kuqeblu, si dhe Almiro Gurakuqi, një biznesmen shkodran që jeton në Tiranë ku edhe përfaqëson një firmë të njohur private. Persona këto që kanë depozituar dosjet me ofertat e tyre përkatëse për të marrë pjesë në proçesin e ankandit. Megjithatë, burimet në fjalë  bëjnë të ditur se në bazë të rregullores dhe ligjit përkatës, deri në momentin e hapjes së ankandit , të tjerë biznesmenë kanë të drejtën dhe mundësinë që të përfshihen në garën e ankandit për shtitjen e Vllaznisë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img