Vllaznia U-21 e drejtuar nga trajneri Fatjon Hasani ka bërë një tjetër hap të rëndësishëm drejt objektivit të titullit kampion. Kuqeblutë janë ndeshur sot pasdite në transfertë me ekipin e Kukësit, ndeshje kjo e luajtur në Tiranë për arsye të mungesës së stadiumit për kukësianët që është në punime e sipër.
E gjithë ndeshja është zgjidhur me një gol, dhe ai ka ardhur në minutën e 60-të nga sulmuesi shkodran, i zakonshmi Mehdi Çoba, i cili i ka dhuruar Vllaznisë fitoren me rezultatin 0 me 1. Një tre pikiësh ky shumë i rëndësishëm për kuqeblutë, të cilët pas javës së 24-t vazhdojnë të jenë në vendin e dytë të tabelës së klasifikimit me vetëm tre pikë më pak se Bylisi kryesues.
Java e 25-të ka rezervuar përballjen më të fortë të kampionatit U-21 ku në Shkodër do të jetë mysafir skuadra kryesuese e Bylisit. Një supersfidë kjo që do të përcaktojë shumë për fatin e titullit kampion. Çdo rezultat tjetër përpos fitores do ta largonte Vllazninë nga objektivi i titullit kampion. Ndaj, futbollistët e drejtuar nga trajneri Hasani janë super të karikuar për të marrur tre pikëshin në këtë ndeshje.