Kategoria Superiore U-19 ka zhvilluar këtë të mërkurë ndeshjet e fazës çerekfinale të këtij sezoni. Tetë skuadrat e grupeve A dhe B u përballën me njëra-tjetrën në fazën play-off, duke përcaktuar kështu edhe çiftet gjysmëfinaliste.
Në këtë tur çerekfinal, takimi më i spikatur ka qenë ai në mes Vllaznisë dhe Akademisë së Futbollit, duel ky i luajtur në kompleksin “Internacional” Pezë Tiranë. Një ndeshje kjo që ka përfunduar me rezultatin 1 me 2 në favor të skuadrës kryeqytetase duke befasuar jo pak opinionin sportiv. Nisur nga cilësia dhe përformanca që Vllaznia U-19 ka shfaqur gjatë të gjithë kampionatit, konsiderohej si pretendentja kryesore për titull.
Referuar ecurisë së takimit duhet thënë se ai ka filluar në mënyrën më të mirë për skuadrën kuqeblu, kur Filipi shënon që në minutën e 8-të duke e kaluar në avantazh Vllazninë 1 me 0, rezultat ky që mbyll edhe pjesën e parë për skuadrën kuqeblu.
Kur dukej se gjithçka po shkonte mirë për skuadrën kuqeblu, janë vendasit që shënojnë me anë të Nikqit në minutën e 54-t. Barazim 1 me 1, duke bërë që sfida të rihapet nga fillimi. Minutat në vazhdim shoqërohen me një luftë të fortë sportive nga të dy ekipet që kërkojnë golin e fitores. Atë arrin ta shënojë Akademia e Futbollit me anë të Halilajt në minutën e 78-të, gol që qëndron në fuqi deri mbyllje të krejt takimit. Kështu Akademia e Futbollit fiton me rezultatin 2 me dhe shkon në gjysëmfinale për të vijuar garën për tititull. Ndërkohë, Vllaznia, e cila e synonte seriozisht një trofe të tillë, me këtë humbje eleminohet duke e mbyllur me kampionatin. Në lojë tashmë për skuadrën e drejtuar nga trajneri Luan Zmijani ka mbetur Kupa e Shqipërisë, ku Vllaznia është finaliste dhe beson shumë se do ta bëjë të vetin trofeun e këtij kompeticioni.
Po për turin çerekfinal, lezhjanët e Shënkollit mundën me rezultatin 5-1 Skënderbeun, në një sfidë që prodhoi raste të shumta dhe gola. Goli i parë u shënua nga Uku, i cili kaloi në epërsi Shënkollin në minutën e 17-të të takimit, ndërsa 7 minuta më vonë, Marku dyfishon rezultatin për lezhjanët. Daija shënon edhe golin e tretë për Shënkollin, në minutën e 33-të. Pjesa e parë mbyllet në favor të lezhjanëve. Gjatë pjesës së dytë shënohen edhe tre gola të tjerë, me Markun i cili shënon golin e katërt dhe të dytin personal në minutën e 53-të. Selimllari shkurton rezultatin për korçarët në minutën e 74-t, por pa ndryshuar fatin e takimit. Një minutë më pas, Daija shënon dhe golin e pestë për lezhjanët, duke vulosur rezultatin 5-1, me ekipin e Shënkollit që kalon kështu në gjysmëfinale.
Partizani – Elbasani ishte ndeshja tjetër e luajtur në kompleksin “Internacional”, e vlefshme për fazën çerekfinale të Kategorisë Superiore U-19. Kryeqytetasit fituan me rezultatin 2-0, në një sfidë jo fort të lehtë, me një pjesë të parë që përfundoi pa gola. Koldashi shënoi golin e parë të takimit në minutën e 63-të të takimit, duke kaluar kështu në avantazh të kuqtë, ndërsa Shiba vulos rezultatin në minutën e 82-të të takimit. Partizani është ekipi tjetër që kaloi në fazën gjysmëfinale.
Në Kamëz, ekipi i Tiranës u përball me durrsakët e Teutës, duke i mundur me rezultatin 2-0. Bardheblutë kryeqytetas hapën sfidën që në minutën e pestë të takimit, me Kukën, i cili shënon një gol shumë të bukur, që i dha avantazhin Tiranës. Pjesa e parë u mbyll me shumë raste nga të dyja ekipet, me Teutën që kërkoi në disa raste golin e barazimit. Edhe fraksioni i dytë i lojës krijoi shumë raste, por vetëm një gol, të shënuar sërish nga kryeqytetasit në minutën e 86-të të takimit, që i dha edhe sigurinë Tiranës dhe biletën për gjysmëfinale.
Kështu, çiftet gjysmëfinaliste të Kategorisë Superiore U-19 për këtë sezon janë:
Akademia e Futbollit – Partizani, 19 maj, ora 10:00
Shënkolli – Tirana, 19 maj, ora 10:00