Sunday, November 24, 2024

Pragderbi i kryeqytetit Partizani-Tirana, dy trajnerët kundërshtarë, Orges Shehi dhe Ilir Daja, në Konferencë shtypi

Lexo

Ilir Daja(Trajner i Partizanit):”

“Ndeshjet tashmë vijnë me dinamikë. Kemi humbur dy pikë në Korçë, por të gjithë e kemi parë që loja është zhvilluar në gjysmëfushëne kundërshtarit, të tilla situata janë prezente në futboll. Gjithsesi, kjo nuk ndikon aspak, sepse edhe nëse do kishim fituar, nuk është se do të krijonim ndonjë shkëputje në kreun e klasifikimit. Sigurisht që kishim shkuar për të fituar ndeshjen, por besoj se nuk ka lënë asnjë llojë gjurme, sepse edhe nëse do të kishim një rezultat negativ, prapë derbi është një ndeshje e veçantë, ndeshja më e rëndësishme e kampionatit shqiptar. Jemi mirë moralisht, sepse kemi prezent lojën, performancën, motivimin, të cilat do të vazhdojmë ti ruajmë dhe në këto javë të fundit për të marrë tri pikët”.

Do të vazhdojë pathyeshmëria në derbi? “Sigurisht që ka një bonus psikologjik dhe presioni më i madh është tek kundërshtari, sepse në këtë sezon kemi qenë dy herë fitues dhe një ndeshje është mbyllur në barazim. Por ndeshjet derbi ndoshta nuk ngjasojnë. Presioni mund të jetë i shtuar për të marrë një rezultat pozitiv nga kundërshtari, por në këto momente që jemi pritshmëria dhe motivimi edhe nga ekipi ynë do të jetë maksimal, sepse përveç që është një ndeshje derbi, luhet në momentet e fundit të kampionatit ku rivaliteti është maksimal. Ndjehemi mirë psikologjikisht dhe jemi më lart se kundërshtari në përballjet direkte. Duhet të menaxhojmë motivimin, sepse ndeshje të tilla kanë gjithmonë motivim maksimal”.

Derbi, një udhëkeyq për sezonin? “Nuk besoj. Është një bonus shumë i madh marrja e tri pikëve. Po të shikojmë kalendarin, përveç përballjeve që kemi ne, edhe skuadrat që ndodhen sipër në klasifikim, përballen mes tyre. Çdo tripikësh të jep një gjendje shumë të mirë nga ana e harmonisë në grup. Mendoj se ky trepikësh i radhës nuk do të jetë vendimtar, sepse edhe ndeshjet e tjera në vazhdim kanë të njëjtën vlerë”.

Lëvizjet në klasifikim? “Ky kampionat ka qenë i paparashikueshëm për vetë vonesën e fillimit për shkak të pandemisë. Përtej rezultateve, ashtu siç ka qenë Partizani në krye, ashtu kanë qenë dhe rivalët e tjerë për titull. Kjo nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri, por dhe në Europë, situata ka ndikuar direkt edhe në sport. Një arsye tjetër është dhe mungesa e tifozëve. Ka ndikuar jo vetëm te Partizani, por dhe te gjithë skuadrat e tjera”.

Presioni mbi Partizanin? “Tirana është kampione në fuqi dhe e ka nisur sezonin si pretendente dhe pritshmëria ka qenë shumë e madhe. Ndërsa ne, me problematikën që kishim, ndoshta brenda vetes kërkonim gjithmonë të merrnim maksimumin, sepse përfaqësojmë një klub si Partizani, ku dihet që objektivat janë gjithmonë maksimale. Besoj se presioni nuk është më i madh te ne, sepse derbi ka presionin e vet. Nga ana psikologjike, një trajner e ka të lehtë motivimin dhe ka pak të vështirë menaxhimin e anës emocionale sepse në fund duhet të mbizotërojë logjika mbi emocionin. Në këtë prizëm kemi punuar me lojtarët, sepse dihet në një derbi lojtarët janë në maksimumin e motivimit”.

Orges Shehi(Trajner i Tiranës):

“Sigurisht që është ndeshje e rëndësishme, na ndajnë vetëm 4 javë nga përfundimi i kampionatit, ndeshjet po ikin. Shpresoj të bëjmë mirë dhe të marrim tri pikët. Në futboll nuk ka këtë sezon apo tjetrin. Ka moment dhe ky moment është pikërisht nesër. Nuk duhet të mendojmë se bota rrotullohet rreth nesh, por të mendojmë për tri pikët. Të menaxhojmë energjitë për tu paraqitur sa më mirë”.

“Po kalojmë një moment të mirë, po shfaqemi mirë dhe po marrim pikë, pavarësisht se mund të kishim marrë akoma më shumë. Këtë formë të mirë duhet ta tregojmë edhe në sfidën e nesërme. Është ndeshje e rëndësishme, është çelësi i të gjithë objektivit. Duke ditur rëndësinë që ka derbi, mendoj se është pika kyçe e këtij sezoni.

“Duhet të bëjmë më të mirën, për të arritur aty ku duam, në Europë. Derbi i ka të gjitha rezultatet, por ne luajmë vetëm për fitore. Në aspektin psikologjik jemi mirë. Si në gjendjen fizike dhe në atë psikologjike, skuadra është mirë. E presim derbin të qetë dhe me besim se mund të marrim më të mirën”.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img