Sunday, August 17, 2025

(Video) A është gati Vllaznia për startin e Superiores? Tre miqësoret e fundit, me Laçin, Kukësin dhe Besen, nuk e kanë ngrohur trajnerin Martini. Megjithatë, ka edhe 6 ditë në dispozicion për supersfidën e javës së parë ndaj Egnatias

Lexo

Vllaznia-Besa 1-2(Shënues: Klinti Qato 59’/Fabio Beqja 63’, Ermir Spahiu 90’)

Vllaznia: Leon Pohls, Gjini, Gurishta, Kouro, Sala, Mala, Jago, Qato, Kallaku, Kastrati, Balaj(U aktivizuan: Murataj, Tafili, Kubazi, Pusi, Brahimi, Ara, Hajdari, Kapllani)

Besa: Dema, Nuredin, Kapo, Beqja, Nurja, Hasani, Migone, Spaiu, Treni, Kordeiro, Chineundu.(U aktivizuan: Ahmetaj, Netto, Veliu, Kurti, Gjinaj, Aneni, Puqja, Haxhiu). Trajner: Emiliano Çela.

Gjyqtar: Indrit Myrtja, Ardit Cobaj, Arlind Kastrati(I katërt: Saimir Hysjeni)

 Vllaznia-Besa, takim i luajtur mbrëmjen e së shtunës në stadiumin “Loro Boriçi”, ishte ndeshja e fundit e ciklit të miqësoreve në prag të startit zyrtar të Superiores e mbyllur me fitoren e kavajasve 1-2, ndërkohë që më herët ka konsumuar edhe dy miqësoret e tjera, me Laçin në transfertë e humbur 2-1 dhe Kukësin në shtëpi e fituar 4-3. Tre ndeshje përballë skuadrave inferiore të kategorisë së parë, ku bilanci është një fitore dhe dy humbje.

Megjithatë, shpesh herë thuhet se në miqësore, rezultati nuk ka rëndësi, por për hirë të së vertetes, në të tria miqësoret respektive, ndaj Laçit, Kukësit dhe Beses, Vllaznia nuk ka përcjellë një përformancë pozitive në fushën e lojës.

Nëse në dy miqësoret e para me Laçin dhe Kukësin, kishte vend edhe për eksperimente, përfshirë edhe lojtarët në provë, miqësorja e fundit me Besen kishte komoditetin që trajneri Martini të kishte në fushë emrat e duhur, me të cilët pritet të përballojë kampionatin.

Portjeri gjerman, Leon Pohls,  Gjini, Gurishta, Kouro, Sala, Mala, Jago, Qato, Kallaku, Kastrati, Balaj e nisën takimin titullar. Natyrshëm, që krahas të tjerëve, e gjithë vemendja e tifozërisë shkodrane ishte tek numri 11-të, Sherif Kallaku, i cili mbrëmjen e së shtunës bëri debutimin e tij të parë me uniformën e Vllaznisë.

Por, përformanca e tij në fushë, duke qënë hija e vetvetes, zhgënjeu jo pak fansat kuqeblu. Në një farë mënyrë, ardhja me shumë vonesë në gjirin e Vllaznisë dhe mungesa e  marrjes së ngarkesave, sidomos fizike, bëjnë punën e tyre, por realiteti është ky që Kallaku nuk është gati për momentin t’i shërbejë Vllaznisë, ku me të drejtë tekniku Martini e zëvendësoi në pjesën e dytë.

0 me 0 janë mbyllur 45 minutat e para pa ndonjë episod të veçantë në dy portat respektive, ndërkohë që me aktivizimin e dyshes Murataj-Tafili, pjesa e dytë ka pamje tjetër për Vllazninë, e cila shfaqet me një ritëm krejt tjetër duke krijuar më shumë presion në portën kundërshtare.

Dhe goli nuk vonon, kur në minutën e 59-të, goditja e Klinti Qatos kalon Vllazninë në avantrash 1 me 0. Por, gëzimi i kuqebluve zgjat vetem katër minuta, sepse miqtë nga Kavaja shënojnë një supergol me një goditje perfekte nga distanca me autor Fabio Beqja duke barazuar rezultatin në 1 me 1.

Barazimi qëndron në fuqi deri në minutën e 90-të, duke krijuar përshtypjen se ndeshja po mbyllej në barazim në 1-1, por pikërisht në 15-të sekondat e fundit të kohës së rregullt, kavajasit shënojnë golin e dytë në portën kuqeblu të mbrojtur nga gjermnai Pohls, me autor Ermir Spahiu duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllet me rezultatin 1 me 2 në favor të Beses së Kavajës.

Jo vetem rezultati, por edhe loja në tërësi, me përjashtim të ndonjë shkëndije të Muratajt në pjesën e dytë, prezantoi një zhgënjim të Vllaznisë duke lënë të pakënaqur tifozërinë shkodrane.

Në të tilla kushte, natyrshëm lind pyetja: A është gati Vllaznia për startin e kampionatit? Tre miqësoret e fundit, me Laçin, Kukësin dhe Besen, nuk e kanë ngrohur trajnerin Martini. Megjithatë, ka edhe 6 ditë në dispozicion për startin e sezonit të ri futbollistik, 2025-26, kur me datë 22 gusht, pret në stadiumin “Loro Boriçi”, kampionen në fuqi, Egnatian e Rrogozhinës.

(Video) Tre golat e ndeshjes miqësore, Vllaznia-Besa 1-2(Klinti Qato 59’/Fabio Beqja 63’, Ermir Spahiu 90’).

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img